Më shumë se 80 mijë persona nga mbi 170 vende kanë vizituar faqen turistike të Norvegjisë brenda vetëm pesë ditësh, pas një fushate që e ktheu një fyerje të Donald Trump në një mundësi promovimi. Me më pak se 10 mijë dollarë të shpenzuara për reklama në rrjetet sociale, agjencia Visit Norway arriti të tërhiqte vëmendjen ndërkombëtare duke reklamuar… tualetet publike të vendit.
Gjithçka nisi pas një deklarate të presidentit amerikan gjatë një tubimi në Michigan. I pakënaqur që nuk mori Çmimin Nobel për Paqen, Trump e quajti Norvegjinë “vend haleje” dhe deklaroi se nuk dëshironte emigrantë nga ky shtet skandinav.
Norvegjezët vendosën të mos i përgjigjeshin me zemërim. Agjencia turistike Visit Norway e mori fyerjen fjalë për fjalë dhe krijoi një fushatë që promovonte disa prej tualeteve publike më të veçanta të vendit, të vendosura mes fjordeve, maleve dhe peizazheve spektakolare.
“Norvegjia i bën sërish madhështore haletë”, ishte slogani i zgjedhur, një parodi e drejtpërdrejtë e thirrjes së famshme të Trump. Në faqen e saj, agjencia prezantoi ndërtesa me arkitekturë moderne dhe pamje panoramike, duke i ftuar turistët t’i vizitonin edhe nëse nuk kishin nevojë t’i përdornin.
Sipas platformës së specializuar Skift, kjo fushatë solli një rritje të vizitave në faqen e Visit Norway mbi 540 herë krahasuar me javën paraardhëse. Brenda pesë ditësh, platforma u vizitua nga njerëz në më shumë se 170 vende.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm norvegjez, Espen Barth Eide, kujtoi se qeveria nuk ka asnjë rol në përzgjedhjen e fituesit të Nobelit, pasi çmimi jepet nga një komitet i pavarur.
Në fund, një deklaratë e Trump që synonte të shprehte pakënaqësinë për mosmarrjen e çmimit u kthye në një fushatë turistike me jehonë ndërkombëtare. Presidenti amerikan nuk mori Nobelin, por Norvegjia fitoi një reklamë që vështirë se do ta kishte planifikuar ndonjë agjenci marketingu.

