Christa Pike flet pas dështimit të ekzekutimit: Nuk besoja se do të mbijetoja

Christa Pike, e dënuara me vdekje në Tennessee të Shteteve të Bashkuara, ka reaguar për herë të parë pas ekzekutimit të dështuar më 30 shtator, gjatë të cilit iu administruan dy doza të injeksionit vdekjeprurës.

Në deklaratën e publikuar të premten nga avokatët e saj, Pike tha se nuk e kishte imagjinuar se do të ishte ende gjallë pas përfundimit të procedurës.

Të lidhura

None found

“Nuk e mora në konsideratë mundësinë e vazhdimit të jetës”, u shpreh ajo.

Ajo rrëfeu se ende përballet me dhimbje të forta në disa pjesë të trupit, si dhe me vështirësi në të folur. Pike përmendi shqetësime në krahë, duar dhe fyt, duke nënvizuar se pasojat e ngjarjes kanë prekur edhe gjendjen e saj mendore dhe shpirtërore.

“Ka dhimbje në mendjen dhe shpirtin tim”, shkroi ajo, duke shtuar se, megjithëse ka konstatuar disa përmirësime, rikuperimi po ecën ngadalë.

“Po shërohem dhe e di që po bëhem më e fortë. Por shërimi nuk është i njëjtë me të qenit mirë”, deklaroi Pike.

Gjatë procedurës, asaj iu dhanë dy doza pentobarbital, por ajo nuk humbi jetën dhe u dërgua me urgjencë në spital në gjendje kritike. Pas disa ditësh e shtruar, Pike u lirua më 10 tetor dhe u kthye në burg.

Avokatët e saj kanë deklaruar se pas tentativës për ekzekutim ajo vuante nga pneumonia, kishte ënjtje të mëdha në krahë dhe probleme me gëlltitjen. Aktualisht, Pike vazhdon të marrë trajtim mjekësor dhe mbahet e ndarë nga të burgosurit e tjerë.

Krimi për të cilin u dënua ndodhi në janar të vitit 1995, kur Pike ishte 18 vjeçe. Ajo mori pjesë në vrasjen e 19-vjeçares Colleen Slemmer, të cilën e kishte njohur në një qendër rinore në Knoxville.

Dokumentet e çështjes tregojnë se Pike, i dashuri i saj i atëhershëm Tadaryl Shipp dhe një vajzë tjetër e çuan Slemmer në një vend të izoluar, ku e dhunuan dhe e torturuan deri sa ajo vdiq.

Pike u shpall fajtore për vrasje të shkallës së parë dhe u dënua me vdekje. Shipp, i cili ishte 17 vjeç në momentin e krimit, mori dënimin me burgim të përjetshëm.

Ekzekutimi i Pike ishte caktuar për 30 shtatorin në Qendrën Korrektuese Riverbend, në Nashville. Nëse do të kryhej, ajo do të bëhej gruaja e parë e ekzekutuar në Tennessee pas më shumë se dy shekujsh.

Por procedura u ndërpre pasi dy dozat e pentobarbitalit nuk shkaktuan vdekjen e saj. Sipas avokatëve, anëtarët e ekipit të ekzekutimit patën vështirësi për të gjetur një venë dhe gjatë përpjekjes përdorën rreth dhjetë gjilpëra.

Pas dështimit të ekzekutimit, guvernatori i Tennessee-t, Bill Lee, ndaloi ekzekutimet e tjera të planifikuara deri në vitin 2026 dhe kërkoi zhvillimin e një hetimi të pavarur për incidentin.

Dënimi me vdekje ndaj Pike vazhdon të jetë në fuqi. Dy ditë përpara ekzekutimit të planifikuar, guvernatori Lee kishte hedhur poshtë kërkesën për falje dhe për zëvendësimin e dënimit me burgim të përjetshëm.


Shtuar më 31.10.2026 11:12

Quantcast