Këtë të shtunë, në gati 30 qytete të Gjermanisë janë paralajmëruar protesta të të rinjve. Thirrja nisi nga interneti, nga një grup që deri dje nuk e njihte askush. A do të kapërcejë vala e protestave kufirin nga Franca në Gjermani? Kjo është pyetja që shtrohet.
Në një lidhje me News24, Auron Dodi, nga DW sqaron se çfarë po ndodh në Gjermani.
Për çfarë protestohet në Gjermani?
A.Dodi: Janë disa tema që i bashkojnë protestuesit, në rreth 30 qytete ku u lajmëruan protestat: shkollat, kostoja e jetesës, shërbimi i detyrueshëm ushtarak, klima. Nga qytetet e mëdha të lajmëruara për protesta janë Hamburgu, Berlini, Këlni, Frankfurti mbi Main e Mynihu. Sipas medieve, të rinjtë i ka mobilizuar një grup që e quan veten “Gen Z regelt” (Brezi Z e rregullon vetë). Brezi Z quhen të rinjtë e lindur nga viti 1995-2010. Se kush e drejton këtë grup saktësisht nuk dihet. Organizimi është bërë përmes TikTok-ut, Instagramit dhe Telegramit, siç nisin pothuajse të gjitha lëvizjet sot. Ky grup gjerman ka shprehur solidaritet edhe me protestat e fundit në Francë. Dihet se në Francë e në vende të tjera ka pasur edhe shfaqje dhune, në protesta. Përsa i përket këtij komponenti në Gjermani: Ministria e Brendshme tha se deri tani nuk ka asnjë thirrje konkrete për dhunë. Kundër një skenari francez, për momentin, flet fakti se vetë organizatorët kanë deklaruar se nuk e duan atë model. Megjithatë, në rrjetet sociale ka edhe tone më të rrëmbyera.
Sa real është rreziku që protesta të marrin përmasa të ngjashme me ato në Francë?
Disa ekspertë i konsiderojnë më pak të mundshme trazirat e tipit francez në Gjermani, pasi kultura e protestës në të dy vendet ndryshon. Sipas tyre, protestat konfrontuese kanë gjetur tradicionalisht më pak mbështetje në Gjermani sesa në Francë. Sipas tyre, edhe qasja e policisë ndaj protestave ndryshon mes Francës dhe Gjermanisë.
Protestat e mëparshme të rinisë në Gjermani për klimën, Fridays for Future, qenë kryesisht paqësore. Pyetja se a mund të përcillet vala e protestave nga jashtë kufirit, në Gjermani, ka të bëjë, megjithatë, me disa probleme të përbashkëta që u panë p.sh. edhe ne France. Këtë e tregon një universitet në Berlin.
Në Universitetin Teknik, shkruan gazeta Die Welt, gati një e katërta e kampusit është jashtë përdorimit. Ndërtesa qendrore me auditorët e mëdhenj rrinë të mbyllur që kur nisi semestri. Dhe, siç tha një student, mjafton të dalë nga përdorimi edhe një ndërtesë që të mos funksionojë gjithçka. Kjo është pasojë e viteve pa investime.
Megjithatë, zemërimi nuk buron nga muret që po shkatërrohen, por nga fenomeni që del në pah. Studentët kritikojnë se shteti po rrit shpenzimet për mbrojtjen, madje duke zbutur edhe rregullat për marrjen e borxheve. Por kur bëhet fjalë për arsimin: nga të rinjtë kërkojnë, por askush nuk do të investojë tek ata.
Cila është shtysa për të rinjtë në Evropën Perëndimore, që dalin në rrugë?
Disa nga brezi i ri dalin në rrugë, sepse nuk u del llogaria: mirëqenie, si të brezit të vjetër nuk presin. Dhe duhet të paguajnë edhe borxhet që ka marrë brezi i vjetër.
Tregu i punës nuk ka ecur me të njëjtin hap me nevojat, kur janë 80 për qind të një moshe që mbarojnë maturën. Ata e kanë të vështirë të gjejnë punë të qëndrueshme, mezi përballojnë qiratë.
Është një brez me diploma dhe i rrjetëzuar mirë, por nuk ka vendin e dëshiruar: është i bllokuar mes kontratave të përkohshme të punës dhe një perspektive të pasigurt.
Megjithatë: rrjetëzimi i protestuesve krijon dukshmëri, por jo projekt politik.
Pse po shpërthejnë protesta pikërisht tani kudo në Evropë?
Shumë analistë i lidhin protestat me rritjen e vogël ekonomike në Evropë, kur ushqimi, qiraja dhe energjia janë shtrenjtuar, pjesërisht edhe nga lufta e SHBA me Iranin.
Po çdo vend pati edhe shkëndijat e veta specifike, që nxitën protestat, megjithë të përbashkëtat: në Francë dhe Belgjikë ishte arsimi, në Spanjë dhe Portugali banesat, në Itali shpenzimet publike, në Shqipëri llogaridhënia e pushtetarëve. Shumë studiues e lidhin valën e protestave me rënien e besimit te politika dhe institucionet. Prandaj protestat nuk kursejnë asnjë krah politik: godasin njësoj Macron-in centrist, Sánchez-in në të majtë dhe Meloni-n në të djathtë. Disa sociologë e shohin valën aktuale të protestave edhe si reagim ndaj forcimit të lëvizjeve konservatore në vende të ndryshme. Dhe ndaj debatit nëse shoqëritë po bëhen më autoritare. Në shumë vende evropiane, pjesë e rëndësishme e protestuesve vijnë nga shtresat urbane të klasës së mesme. Arsyet e pakënaqësisë ndryshojnë nga vendi në vend, por shpesh lidhen me perspektivat ekonomike dhe me ndjenjën se vendimmarrja politike nuk i dëgjon sa duhet.
Cilat grupe shoqërore marrin pjesë në protestat që po shihen në shumë vende të Evropës? A është kjo kryesisht një lëvizje studentore?
Jo vetëm studentore, megjithëse disa prej protestuesve të rinj janë brezi i pandemisë: mbylljet (lockdown) i zunë në moshën kur njeriu formohet emocionalisht e nga pikëpamja sociale, dhe gjurmët psikike kanë mbetur. Në shumë vende evropiane, pjesë e rëndësishme e protestuesve vijnë nga shtresat urbane të klasës së mesme. Arsyet e pakënaqësisë ndryshojnë nga vendi në vend, por shpesh lidhen me perspektivat ekonomike dhe me ndjenjën se vendimmarrja politike nuk i dëgjon sa duhet. Në rrugët e Evropës është parë që kanë dalë ose do të dalin edhe të tjerë: në nëntor pritet të dalin në greva më të gjera në Spanjë, Portugali dhe Itali – kamionistët, fermerët e peshkatarët, që pritet të bllokojnë autostradat.
Çfarë reagimi ka shkaktuar në Gjermani njoftimi për protestat?
Reagimi është njëkohësisht qetësues dhe i kujdesshëm. Ministrja për familjen e landit federal Rini Verior-Vestfali Verena Schäffer (Aleanca 90/Të Gjelbrit), mbrojti të drejtën e protestës paqësore. Dhe kujtoi se nga viti i ardhshëm 16-vjeçarët do të votojnë në këtë land edhe për parlamentin e landit. Rezerva vijnë nga vetë të rinjtë: disa këshilla të zgjedhura nxënësish u distancuan paraprakisht nga protestat e kësaj të shtune, i quajtën protestat jotransparente. Druhen se dikush do t’i përdorë politikisht, ndaj planifikojnë aksione të vetat në nëntor. Zyra për Mbrojtjen e Kushtetutës (Verfassungsschutz) paralajmëron se ekstremistë të majtë mund të futen mes protestuesve. Nga forcat e rendit: Jochen Kopelke, kreu i sindikatës më të madhe të policisë, tha se policia gjermane punon ndryshe nga ajo franceze, ka taktika e pajisje të tjera: itineraret e protestës dhe kushtet e protestës i sqaron paraprakisht. I veçon nxitësit e protestës dhe pjesëmarrësit paqësorë i lë të vazhdojnë rrugën. Sepse gjithçka mbështetet te komunikimi. Por përfaqësues i policisë dha edhe një mesazh për politikën: kur një brez i tërë thotë se arsimi nuk funksionon, nuk duhet të presim derisa të marrin flakë rrugët, sepse policët e tij nuk janë aty për të mbrojtur me shkopinj politika të këqija.
