Nuk ndalen protestat në Kosovë, tubime në disa qytete me moton “Shteti duhet të japë llogari”

Kosovë | 1 minutë më parë

“Zëri ynë do të dëgjohet. Shteti do të japë llogari” nën këtë moto protestuesit në sheshi  “Zahir Pajaziti” në Prishtinë vazhduan tubimet duke kërkuar hetim të plotë dhe llogaridhënie nga Policia, Prokuroria, Gjykata dhe institucionet e mirëqenies sociale pas vrasjes së paralajmëruar të Arlinda Zekajt. Protestuesit reaguan të revoltuar, pasi edhe pas kërkesave të tyre për dorëheqje, dy ministrat Donika Gërvcalla dhe Xhelal Sveçla deklaruan se largimi i tyre nuk ishte zgjidhje për çështjen.

Me tensione u shoqërua protesta qytetare në Pejë, pasi para Stacionit Policor u vendos regjistrimi i 49-vjeçares së ndjerë, ndërsa ajo kërkuar siguri nga oficeri i Policisë, Faruk Muqolli pas denoncimeve të njëpasnjëshme. Fjalët e saj u kthyen në thirrje të protestuesve, të cilët kërkuan përgjegjësi për mungesë veprimesh për të parandaluar vrasjen e saj si dhe shkarkimin e zyrtarëve përgjegjës dhe jo vetëm pezullimin e tyre.

Edhe në Mitrovicë qytetarët u ngritën në protestë në kërkim të drejtësisë për vrasjen e grave në Kosovë.

Të premten lidhur me ngjarjen dha dorëheqjen edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Gazmend Hoxha. Në letrën drejtuar kryeministrit Albin Kurti thuhet se ngjarja tragjike e ka shtyrë të reflektojë për përgjegjësinë institucionale dhe morale që bart detyra e tij. “Duke vënë interesin e shtetit dhe dinjitetin e institucionit mbi çdo interes personal, unë jap dorëheqje morale nga pozita e Drejtorit të Policisë së Kosovës”- shkroi Hoxha. Më herët u pezulluan nga detyra 11 oficerë nga Policia e Pejës si dhe kryeprokurorja e Pejës dhe prokurorja e çështjes së Arlinda Zekajt.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme