Dy shtetas nga Kosova, të dënuar me nga 15 vite burgim secili në Gjermani për vjedhje me dhunë, janë arrestuar në pikën kufitare të Morinës, me qëllim ekstradimin drejt shtetit gjerman.
Sipas Policisë, arrestimi u krye në kuadër të operacionit të koduar “Wanted”, ku në pranga ranë G. M., 22 vjeç, dhe F. B., 24 vjeç, të dy banues në Vushtrri.
Dy të rinjtë ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Wiesbaden, pasi Gjykata e Erfurtit në Gjermani, më 1 qershor 2026, i kishte dënuar me nga 15 vite burg secilin.
Ata akuzohen për veprat penale “Vjedhje me dhunë e kryer në bashkëpunim” dhe “Dëmtim prone”, të parashikuara nga Kodi Penal gjerman.
Arrestimi u bë nga shërbimet e Policisë Kufitare Morinë, në kuadër të kontrolleve për identifikimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim.
Ndërkohë, Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët në Wiesbaden, po vijon procedurat për ekstradimin e dy shtetasve drejt Gjermanisë.