Zjarr i madh në një servis automjetesh në Gjirokastër, digjet magazina, shpëtojnë dy pallatet pranë
Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë gjatë mesnatës një servis automjetesh në lagjen “11 Janari” në Gjirokastër, duke shkaktuar panik te banorët e zonës.
Flakët dhe retë e dendura të tymit mbuluan zonën pranë aksit kombëtar Gjirokastër-Kakavijë, ndërsa në vendngjarje mbërritën forcat zjarrfikëse, të cilat ndërhynë për vënien e situatës nën kontroll.
Për shkak të situatës, u ndërpre edhe furnizimi me energji elektrike në zonë.
Sipas njoftimit të Shërbimit Zjarrfikës, nga zjarri është djegur vetëm magazina e servisit.
Ndërhyrja në kohë e zjarrfikësve bëri të mundur parandalimin e përhapjes së flakëve drejt dy pallateve të banimit që ndodheshin pranë objektit.
Ndërkohë, organet ligjzbatuese kanë nisur punën për dokumentimin e ngjarjes dhe përcaktimin e shkaqeve dhe rrethanave të rënies së zjarrit.




