Masa të forta sigurie janë marrë në kryeqytet pak para nisjes së protestës së sotme, ku pritet të bashkohen studentët dhe mbështetësit e tyre me Partinë Demokratike.
Mbi 2 mijë efektivë të Policisë së Shtetit janë angazhuar për garantimin e rendit dhe sigurisë, ndërsa godina e Kryeministrisë është blinduar me forca të shumta policore.
Në gatishmëri janë vendosur gjithashtu autobotët me ujë me presion dhe forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, të pajisura me mjete speciale.
Në planin e sigurisë janë përfshirë forcat Shqiponja, FNSH-ja, efektivë të komisariateve të Tiranës, agjentë civilë, si dhe dronë për monitorimin nga ajri të tubimit.
Tubimi i sotëm zhvillohet edhe nën efektet e aktit të ri normativ për protestat, i cili zgjeron kompetencat e policisë dhe parashikon sanksione administrative për shkelësit.
Gjobat variojnë nga 10 mijë deri në 500 mijë lekë, në varësi të shkeljes, duke përfshirë mosbindjen ndaj urdhrit për shpërndarjen e protestës apo mbulimin e fytyrës.
Protesta e sotme shënon tubimin e dytë kombëtar të organizuar nga Partia Demokratike që prej nisjes së revoltës studentore, tashmë në ditën e 19-të të saj.













