Ndotet lumi Gjanica në Fier, uji merr ngjyrë të zezë
Me rikthimin e reshjeve të shiut, rikthehet edhe ndotja në lumin Gjanica, i cili përshkon qytetin e Fierit. Ujërat e lumit janë shfaqur sërish me ngjyrë të errët, ndërsa në zonë ndihet një aromë e rëndë, që dyshohet se vjen nga mbetjet hidrokarbure.
Sipas shqetësimeve të ngritura nga banorët, kompanitë e naftës që operojnë në këtë zonë shfrytëzojnë periudhën me reshje për të shkarkuar mbetje hidrokarbure në lumë, duke ndotur ujërat dhe mjedisin përreth.
Derdhja e hidrokarbureve në Gjanicë është një problem i hershëm mjedisor për qytetin e Fierit. Pavarësisht gjobave dhe masave të marra ndër vite ndaj kompanive naftënxjerrëse, fenomeni vijon të përsëritet, duke ngritur pikëpyetje mbi efektivitetin e kontrolleve dhe masave parandaluese.
Ndotja e vazhdueshme përbën një kosto të rëndë për mjedisin dhe ekosistemin e lumit, ndërsa banorët presin ndërhyrje konkrete nga institucionet përgjegjëse për të identifikuar ndotësit dhe për t’i dhënë fund shkarkimeve të paligjshme.




