Sot në Tiranë do të zhvillohet protesta kombëtare e thirrur nga studentët dhe Partia Demokratike, në vijim të tubimeve të ditëve të fundit.
Studentët kanë njoftuar se protesta do të nisë në orën 12:00 përpara Ministrisë së Arsimit. Në mbështetje të tyre pritet të jenë edhe pedagogë, të cilët prej disa ditësh kanë bojkotuar procesin mësimor, si dhe përfaqësues e mbështetës të Partisë Demokratike.
Kryetari i PD-së, Sali Berisha, u bëri thirrje të premten anëtarëve dhe mbështetësve të partisë, si dhe qytetarëve nga i gjithë vendi, që t’i bashkohen protestës së sotme në mbështetje të studentëve.
Sipas njoftimit të organizatorëve, në orën 14:00 protesta do të zhvendoset përpara Kryeministrisë. Një nga kërkesat kryesore të studentëve është dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.
Ende nuk dihet se sa do të zgjasë protesta. Në tubimet e mëparshme janë regjistruar incidente dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë.
