Kamerat me rezolucion të lartë dhe dronët do të përdoren për të ndjekur protestën e sotme në Tiranë, ndërsa Policia e Shtetit ka mobilizuar mbi 2 mijë efektivë për mbarëvajtjen e tubimit. Në terren janë angazhuar disa struktura policore, mes tyre FNSH-ja, njësia “Shqiponja”, efektivë të komisariateve të kryeqytetit dhe agjentë civilë.
Përveç pranisë së forcave të shumta, në gatishmëri janë vendosur edhe autobotët me ujë me presion dhe efektivët e pajisur me mjete speciale. Qëllimi i monitorimit përmes kamerave dhe dronëve është identifikimi dhe dokumentimi i çdo shkeljeje të mundshme ligjore gjatë tubimit.
Masat e pazakonta të sigurisë shoqërojnë një protestë që zhvillohet në ditën e 19-të të lëvizjes studentore dhe që këtë herë ka edhe mbështetjen e Partisë Demokratike. Kjo e fundit ka thirrur tubimin e saj të dytë kombëtar që prej nisjes së protestave në kryeqytet.
Në këtë protestë zbatohet edhe akti i ri normativ për tubimet, i cili i jep kompetenca shtesë Policisë së Shtetit. Për shkelësit parashikohen gjoba nga 10 mijë deri në 500 mijë lekë, në varësi të rastit. Në shkeljet që mund të ndëshkohen përfshihen mosbindja ndaj urdhrit për shpërndarjen e protestës dhe mbulimi i fytyrës.

