Pak para nisjes së protestës kombëtare të studentëve në Tiranë, Policia e Shtetit ka shtuar masat e sigurisë për garantimin e mbarëvajtjes së tubimit.
Në kuadër të planit të masave, pranë Kryesisë së Kuvendit është pozicionuar edhe autoboti i ujit, ndërsa forca policore janë vendosur pranë institucioneve kryesore.
Studentët, të cilët prej tre javësh vijojnë protestat kundër qeverisë, pritet të mblidhen fillimisht përpara Ministrisë së Arsimit. Një nga kërkesat e tyre kryesore mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.
Më pas protesta pritet të vijojë përpara Kryeministrisë, ku do t’u bashkohen edhe mbështetës të opozitës. Mbetet për t’u parë itinerari që do të ndjekin protestuesit dhe nëse do të ketë marshim drejt institucioneve të tjera.