Protesta në mbi 60 qytete të Italisë, tensione dhe përplasje në Romë e Torino, në Milano situata e qetë
Mbi një milion persona, sipas Unonit Sindikal të Bazës dhe 255 mijë, sipas Ministrisë së Brendshme italiane, morën pjesë në protestat e zhvilluara të premten në mbi 60 qytete të Italisë kundër rritjes së kostos së jetesës dhe shtimit të shpenzimeve ushtarake. Tubimeve iu bashkuan studentë, punëtorë, fermerë, pensionistë, familje dhe sindikata.
Pjesa më e madhe e protestave u zhvillua në mënyrë paqësore, por në mbrëmje situata u përshkallëzua në Romë dhe Torino, ku pati përplasje mes demonstruesve dhe policisë. Në kryeqytet, një grup protestuesish u shkëput nga marshimi kryesor pranë Koloseut, hodhi sende në drejtim të policisë dhe u vuri flakën disa koshave të mbeturinave.
Forcat e rendit ndërhynë për të shpërndarë turmën duke përdorur ujë. Tetë persona u ndaluan pasi tentuan disa herë të çanin kordonët e policisë, ndërsa mes këtyre të fundit pati edhe të lënduar. Në Torino, policia përdori autobotë me ujë për të shpërndarë protestuesit që iu afruan kordonit të sigurisë pranë prefekturës. Incidente u raportuan gjithashtu në Mestre dhe Vicenza, ku pati të lënduar mes protestuesve dhe efektivëve të policisë.
Protestuesit kërkuan paga më të larta përballë rritjes së çmimeve, uljen e kostove të qirasë dhe faturave të energjisë elektrike, si dhe uljen e çmimeve të produkteve bazë. Sindikata kërkoi gjithashtu më shumë investime në shëndetësi dhe arsim, duke kundërshtuar rritjen e fondeve për armatimet. Greva në Itali u zhvillua njëkohësisht me një protestë ndërkombëtare të punonjësve të porteve, të cilët kundërshtuan transportin e armëve përmes porteve dhe përfshirjen e infrastrukturës detare në konfliktet e armatosura.
Nismës iu bashkuan mbi 100 porte nga 22 shtete. Ministri i Brendshëm, Matteo Piantedosi, deklaroi se autoritetet garantuan të drejtën për të protestuar në mënyrë paqësore, pavarësisht incidenteve të shkaktuara nga grupe të dhunshme. Ndërkohë, qeveria italiane parashikoi zgjatjen deri më 31 mars 2027 të angazhimit të 500 ushtarakëve për forcimin e sigurisë në Milano, qyteti i cili dy javë më parë u përball me plaçkitje dhe shkatërrim nga protestuesit e dhunshëm. Ndryshe nga protesta e 17 tetorit, tubimi në Milano të premten ishte i qetë.











