Deputetë të Partisë Demokratike kanë dalë nga selia blu dhe pritet t’i bashkohen protestës kombëtare, në shenjë mbështetjeje të studentëve. Sakaq, mungon sërish kreu i PD-së, Sali Berisha.
Studentët, të cilët prej tre javësh vijojnë protestat kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij, kërkojnë dorëheqjen e kreut të qeverisë. Për protestën e sotme, ata pritet të grumbullohen pranë Ministrisë së Arsimit, ndërsa kanë paralajmëruar vijimin e qëndresës së tyre.
Në mbështetje të protestës studentore, para Kryeministrisë pritet të zhvillojë tubimin e saj edhe opozita, duke e kthyer ditën e sotme në një tjetër moment përballjeje politike dhe proteste kundër qeverisë. Ndërkohë, pritet të shihet se si do të zhvillohet tubimi dhe nëse protestuesit do të marshojnë drejt institucioneve të tjera.
