Dhuna policore/ Reagojnë ashpër organizatat ndërkombëtare: Trajtime mizore dhe tortura ndaj të rinjve

Dhuna policore/ Reagojnë ashpër organizatat ndërkombëtare: Trajtime mizore dhe tortura ndaj të rinjve

12:29, 31/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Konsorciumi “Të Bashkuar Kundër Torturës” (UATC) dhe Qendra Shqiptare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës dhe Traumës (ARCT), qendër anëtare e IRCT-së dhe anëtare e rrjetit të OMCT-së, shprehin shqetësim të thellë për akuzat serioze dhe të vazhdueshme për torturë dhe trajtime të tjera mizore, çnjerëzore ose poshtëruese, përdorim të tepruar të forcës dhe privim arbitrar të lirisë. Këto akuza lidhen me protestat, të cilat dëshmojnë një mobilizim të fuqishëm qytetar që ka vijuar në Shqipëri prej më shumë se 140 ditësh.

Akuzat e dokumentuara nga ARCT

Që prej majit 2026, në Tiranë të Shqipërisë po zhvillohen protesta. Ato janë intensifikuar pas datës 13 tetor. Shprehim shqetësimin tonë lidhur me brutalitetin policor dhe përdorimin e tepruar të forcës për të heshtur protestuesit, si dhe keqtrajtimin gjatë transportimit të tyre dhe vendosjes në paraburgim (janë raportuar incidente në komisariatet e policisë nr. 1 dhe nr. 3, në Bllokun e Sigurisë dhe në Spitalin e Traumës).

ARCT ka marrë më shumë se 100 kërkesa për ndihmë mjekësore dhe ligjore. Ajo ka mbledhur dëshmi nga më shumë se 75 persona që kanë marrë pjesë në protesta. Këto dëshmi përshkruajnë:

- Të paktën 320 persona janë plagosur pas pjesëmarrjes në demonstrata (shifrat nuk përfshijnë të dhënat e përditësuara deri më 24 tetor). ARCT ka dokumentuar rastin e një 19-vjeçari, të cilit policia ia theu këmbën e djathtë më 13 tetor. Në pamjet filmike shihen katër efektivë që e mbajnë atë nga gjymtyrët, ndërsa këmba e dëmtuar nuk mbështetet.

- Përdorimin e plumbave prej gome gjatë protestave të 24 tetorit, ku u plagosën të paktën dy persona. Njëri prej tyre pësoi një dëmtim serioz në sy, shkalla e saktë e të cilit ende duhet të përcaktohet. Gjithashtu, ARCT-së i janë raportuar raste të përdorimit të shkopinjve të gomës, mburojave, gazit lotsjellës dhe topave të ujit nga forcat e rendit.

- Raste të gjuhës së urrejtjes: më 24 tetor janë raportuar 20 raste të përdorimit të gjuhës së urrejtjes nga efektivë të policisë.

- Më shumë se 32 persona janë mbajtur në komisariatet nr. 1 dhe nr. 3, ku janë raportuar raste të dhunës fizike dhe raste kur personat janë lënë pa ushqim për më shumë se 14 orë.

- Arrestimin e më shumë se 50 personave, mes tyre 18 fëmijë, pa një masë sigurie të caktuar nga gjykata. Më pas, ata janë mbajtur në ambientet e policisë përtej afatit ligjor prej 5 orësh, përpara shqyrtimit gjyqësor, të përcaktuar në nenin 19(2) të ligjit nr. 82/2024. Në komisariatin nr. 1, pesë nga tetë fëmijët kanë pretenduar se janë dhunuar fizikisht dhe verbalisht, ndërsa monitoruesit kanë konstatuar dëmtime te dy prej tyre. As prindërit dhe as psikologët nuk janë kontaktuar. Gjashtë fëmijë janë regjistruar gjithashtu në regjistrin e të rriturve.

- 118 persona janë mbajtur në Bllokun e Sigurisë, një institucion paraburgimi kapaciteti normal i të cilit është 67 persona. Ata kanë fjetur në dysheme.

- Të paktën dy protestues të plagosur po merrnin trajtim në spital ndërsa ishin të prangosur dhe nën mbikëqyrjen e dy efektivëve të policisë, megjithëse nuk paraqisnin rrezik të menjëhershëm, më 16 dhe 24 tetor.

Nëse vërtetohen, këto veprime mund të përbëjnë torturë ose trajtime të tjera çnjerëzore, sipas kuptimit të neneve 1 dhe 16 të Konventës së OKB-së kundër Torturës (UNCAT), si dhe privim arbitrar të lirisë, në kundërshtim me nenin 9 të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike. Ato lidhen gjithashtu me nenet 86-90, 110 dhe 250-251 të Kodit Penal të Shqipërisë.

Për më tepër, tortura dhe trajtimet e tjera çnjerëzore ndaj fëmijëve ndalohen në mënyrë të posaçme nga neni 37 i Konventës për të Drejtat e Fëmijës. Akuzat që lidhen me fëmijët janë veçanërisht serioze. Neni 85 i Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur kërkon që arrestimi ose ndalimi i një fëmije të marrë miratimin e gjykatës brenda 48 orëve. Sipas nenit 37 të Konventës për të Drejtat e Fëmijës, privimi i një fëmije nga liria mund të përdoret vetëm si masë e fundit dhe për periudhën më të shkurtër të përshtatshme.

ARCT-së i është bashkuar Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës dhe organizata të tjera të shoqërisë civile për të monitoruar ngjarjet dhe për të ndjekur rastet individuale. Megjithatë, vëzhguesit e saj janë përballur me pengesa gjatë monitorimit të ngjarjeve dhe ndjekjes së situatës së personave në paraburgim, kryesisht për shkak të presionit nga institucionet shtetërore.

Prokuroria e Tiranës ka konfirmuar procedimin penal nr. 7806/2026, lidhur me viktimën që pësoi një dëmtim serioz në sy pasi u qëllua me plumba gome. Ajo ka bërë të ditur se ka siguruar rreth 20 kartela mjekësore të personave të plagosur.

Një model sjelljeje i shqyrtuar nga Komiteti i OKB-së kundër Torturës në vitin 2025

Në tetor 2025, ARCT dhe IRCT i paraqitën Komitetit kundër Torturës (CAT) një raport të përbashkët alternativ për shqyrtimin e tretë të Shqipërisë. Raporti evidentonte probleme të ngjashme lidhur me përdorimin e tepruar të forcës gjatë protestave. Ai dokumentonte raste kur policia kishte goditur me grushte dhe shkelma protestuesit, duke bërë që 34 prej tyre të shtroheshin në spital që prej vitit 2024.

Në raport, ARCT shprehte shqetësim për frikësimin dhe arrestimet arbitrare të protestuesve, si dhe për mbajtjen e tyre në paraburgim përtej afatit ligjor prej 11 orësh, në disa raste nga 17 deri në 24 orë. Përveç kësaj, raporti evidentonte shkelje sistematike të garancive themelore ligjore, përfshirë mosinformimin e personave të ndaluar për të drejtën e tyre për të pasur një avokat dhe një mjek, si dhe për të njoftuar personin e kontaktit të tyre.

Vërejtjet përfundimtare të Komitetit, të datës 28 nëntor 2025 (CAT/C/ALB/CO/3), përputhen me gjetjet e ARCT-së. Anëtarët e Komitetit shprehën shqetësim për raportimet mbi përdorimin e tepruar të forcës dhe dhunën fizike nga efektivët e policisë, frikësimin e protestuesve, si dhe rastet e raportuara të arrestimeve dhe ndalimeve arbitrare (paragrafi 22).

Komiteti përcaktoi si përparësi për procedurën e tij të ndjekjes së zbatimit të rekomandimeve ndalimin e përdorimit të tepruar të forcës dhe garantimin e hetimeve të menjëhershme dhe të pavarura. Komiteti rekomandoi gjithashtu që autoritetet shqiptare të trajnojnë të gjithë efektivët e angazhuar në demonstrata për zbatimin e Parimeve Themelore të OKB-së mbi Përdorimin e Forcës dhe Armëve të Zjarrit, si dhe të Protokollit Model për Protestat Paqësore. Më tej, ai rekomandoi që ndalimi i fëmijëve të përdoret vetëm si masë e fundit dhe që ata të kenë akses në mbështetje ligjore, mjekësore dhe psikologjike (paragrafi 31).

Më pak se një vit pas këtij shqyrtimi, situata e dokumentuar nga ARCT sugjeron se shqetësimet e ngritura nga Komiteti janë përkeqësuar. Javët e ardhshme përbëjnë një moment vendimtar për Shqipërinë, për të dëshmuar angazhimin e saj në zbatimin e këtyre rekomandimeve, pasi afati për paraqitjen e informacionit pranë Komitetit kundër Torturës, në kuadër të procedurës së ndjekjes së zbatimit, është caktuar më 28 nëntor 2026.

UATC dhe ARCT u bëjnë thirrje autoriteteve shqiptare që të:

1. Të ndalojnë menjëherë çdo formë torture dhe keqtrajtimi. Autoritetet duhet të deklarojnë pa asnjë ekuivok se përdorimi i tepruar i forcës, që përbën torturë dhe keqtrajtim, nuk do të tolerohet. Të gjitha veprimet policore gjatë tubimeve duhet të jenë në përputhje me parimet e ligjshmërisë, domosdoshmërisë, proporcionalitetit dhe mosdiskriminimit.

2. Të hetojnë menjëherë, në mënyrë të pavarur dhe të paanshme të gjitha akuzat për torturë, keqtrajtim, përdorim të tepruar të forcës dhe ndalim të paligjshëm, siç ka njoftuar Prokuroria. Efektivët e dyshuar për përfshirje duhet të pezullohen gjatë hetimit, ndërsa përgjegjësit duhet të ndiqen penalisht dhe të dënohen në përpjesëtim me rëndësinë e veprimeve të tyre, në përputhje me nenet 12 dhe 13 të UNCAT.

3. Të garantojnë respektimin e garancive themelore ligjore që nga momenti i parë i privimit të lirisë. Këto përfshijnë të drejtën për avokat, ekzaminim të pavarur mjekësor, njoftimin e një familjari, regjistrimin e ndalimit dhe paraqitjen pa vonesë përpara një gjyqtari.

4. Të shqyrtojnë menjëherë ligjshmërinë e ndalimit të çdo fëmije, të lirojnë çdo fëmijë, ndalimi i të cilit nuk është miratuar nga gjykata brenda afatit ligjor, dhe të sigurojnë mbështetje ligjore, mjekësore dhe psikologjike.

5. Të garantojnë kujdes mjekësor urgjent dhe të vazhdueshëm për të gjithë personat e plagosur dhe të ndaluar, edhe pas lirimit të tyre. Dëmtimet duhet të dokumentohen përmes ekzaminimeve të pavarura mjekoligjore, në përputhje me Protokollin e Stambollit.

6. Të mbrojnë hapësirën qytetare. Të garantojnë akses të plotë dhe pa pengesa për Mekanizmin Kombëtar për Parandalimin e Torturës dhe monitoruesit e shoqërisë civile, të respektojnë të drejtën për tubim paqësor dhe të përmbahen nga çdo formë frikësimi ndaj mbrojtësve të të drejtave të njeriut, gazetarëve, avokatëve dhe profesionistëve shëndetësorë që u ofrojnë ndihmë viktimave.

7. Të garantojnë dëmshpërblim dhe kompensim për të gjitha viktimat, përfshirë rehabilitimin, siç kërkohet nga neni 14 i UNCAT.

8. Të paraqesin pranë Komitetit kundër Torturës, deri më 28 nëntor 2026, një raport gjithëpërfshirës dhe të saktë mbi zbatimin e rekomandimeve, i cili të pasqyrojë ngjarjet aktuale dhe të përgatitet në konsultim të mirëfilltë me shoqërinë civile.

Gjithashtu, i bëjmë thirrje Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës, Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës, OSBE-së dhe mekanizmave të OKB-së, përfshirë Raportuesin e Posaçëm për Torturën, që ta ndjekin nga afër situatën dhe t'ua ngrenë këto shqetësime autoriteteve shqiptare.

U bëjmë gjithashtu thirrje donatorëve dhe partnerëve ndërkombëtarë të ofrojnë mbështetje urgjente, në mënyrë që ARCT dhe organizatat e tjera të shoqërisë civile të mund të vazhdojnë ofrimin e shërbimeve mjekësore, ligjore dhe rehabilituese, si dhe monitorimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut.

Rreth Konsorciumit

Konsorciumi “Të Bashkuar Kundër Torturës” bashkon fuqitë dhe ekspertizën e gjashtë organizatave kryesore kundër torturës (IRCT, OMCT, FIACAT, APT, Omega Research Foundation dhe REDRESS), në partneritet me më shumë se 400 organizata dhe partnerë të shoqërisë civile në mbi 120 vende, me qëllim forcimin dhe zgjerimin e lëvizjes kundër torturës. Ky projekt financohet nga Bashkimi Evropian.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco