Plotësimi i formularëve dhe aplikimet në portalin e-Albania mund të kryhen tashmë nga Diella 4.0, pa qenë e nevojshme që qytetarët t’i plotësojnë vetë të gjitha hapat. Versioni i ri i asistentit virtual u prezantua këtë të shtunë nga kryeministri Edi Rama, i cili tha se sistemi ka hyrë në fazën aktive, ku mjafton një kërkesë e përdoruesit që Diella të realizojë shërbimin.
“Jemi në fazën që kemi premtuar që Diella kalon në një pozicion shumë aktiv, ku i bën vetë gjërat. Mjafton kërkesa dhe të presësh pak minuta që të vijë gjithë shërbimi”, u shpreh Rama gjatë prezantimit.
Sipas kryeministrit, 19 shërbime mund të gjenerohen vetëm përmes një komande zanore. Mes tyre janë edhe shërbimet për pensionistët, për të cilat Diella mund të bëjë pyetje sqaruese, si nëse personi ndodhet brenda apo jashtë vendit.
Një tjetër risi e versionit 4.0 është përfshirja e identifikimit përmes syve. Rama u bëri thirrje qytetarëve të shkarkojnë aplikacionin dhe të përdorin funksionet e reja, përmes të cilave e-Albania vihet në dispozicion të tyre me një komandë të thjeshtë.
“Prezantohuni me fuqitë e reja të Diellës, shkarkoni aplikacionin dhe e keni e-Albanian në shërbimin tuaj. Me një komandë të thjeshtë dhe në pritje aty, Diella punon dhe ju keni shërbimin”, deklaroi kryeministri.

