Pas investigimit të Fiks Fare për indianët e Wolt-it, Bashkia Tiranës ndërpret kontratën për akomodimin në konvikte, u firmos kur në krye ishte Anuela Ristani

31/10/2026 12:29

Pas investigimit të emisionit Fiks Fare për akomodimin e shtetasve indianë, punonjës të kompanisë Wolt, në konviktet e Universitetit Bujqësor, Bashkia e Tiranës ka vendosur të zgjidhë marrëveshjen e bashkëpunimit mes Rezidencës Studentore Universitare Nr. 1 dhe kompanisë “Fenix Solution & Trading” sh.p.k.

Kontrata, e lidhur më 9 prill 2026, parashikonte akomodimin e personave jo-studentë në ambientet e godinës nr. 2 të Rezidencës Studentore Universitare Nr. 2, në territorin e Universitetit Bujqësor të Tiranës.

Marrëveshja ishte miratuar në kohën kur në detyrë ishin ish-zëvendëskryetarja e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, dhe ish-drejtori i Rezidencës Studentore Universitare Nr. 1, Olsi Shahini. Tashmë, pas investigimit të Fiks Fare, Këshilli Mbikëqyrës i shoqërisë ka vendosur ndërprerjen e njëanshme të saj.

Vendimi mban datën 30 tetor 2026 dhe parashikon nisjen e menjëhershme të procedurave për zbatimin e tij. Në njoftimin zyrtar drejtuar kompanisë “Fenix Solution & Trading” kërkohet lirimi dhe dorëzimi i dhomave dhe ambienteve të vëna në dispozicion, si dhe kthimi i të gjitha pajisjeve, orendive, materialeve, çelësave dhe kartave të aksesit.

Gjithashtu, dokumenti parashikon rakordimin e plotë të detyrimeve financiare mes palëve, përfshirë pagesat e papaguara dhe faturat e emetuara. Procesi i dorëzimit të ambienteve dhe pajisjeve do të shoqërohet me një procesverbal, ku do të evidentohen edhe dëmtimet apo mungesat eventuale.

Sipas vendimit, zgjidhja e marrëveshjes mbështetet në pikën 10.5 të kontratës, e cila parashikon mundësinë e ndërprerjes së saj me njoftim paraprak 60-ditor. Kompanisë i është kërkuar që detyrimet financiare t’i shlyejë brenda datës 30 dhjetor 2026, ndërsa përfundimi i procedurave të likuidimit dhe lirimi i ambienteve janë përcaktuar brenda datës 20 dhjetor 2026.

Vendimi i Këshillit Mbikëqyrës vjen një ditë pas publikimit të investigimit të Fiks Fare, i cili ngriti pikëpyetje mbi mënyrën e akomodimit të shtetasve të huaj në konviktet e destinuara për studentët.

Ndërkohë, pas investigimit, Prokuroria e Tiranës ka regjistruar një procedim penal për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, me qëllim hetimin e rrethanave të bëra publike nga emisioni.

 

Top Channel