Kaka shpjegon arsyet pse Mbappe dhe Yamal mbetën pa Topin e Artë

Ish-ylli brazilian Leite Kaka ka komentuar zhvillimet e fundit në futboll pas ceremonisë së ndarjes së çmimeve, duke e cilësuar triumfin e Harry Kane si fitues i çmimit individual më prestigjioz në botë si një zgjedhje “të drejtë” dhe “të saktë”.

Fituesi i çmimit në vitin 2007 vlerësoi paraqitjet e kandidatëve kryesorë që nuk arritën ta fitojnë trofeun dhe shpjegoi arsyet e qëndrimit të tij.

Të lidhura

None found

“Mbappe nuk fitoi shumë, ndërsa Lamine Yamal nuk ishte aq vendimtar”, deklaroi Kaka.

Për brazilianin, sezoni i zhvilluar nga sulmuesi i Bayern Munich ishte bindës dhe e justifikoi rezultatin përfundimtar.

“Kane pati një sezon të shkëlqyer, ishte lojtari kryesor i Bayern Munich dhe fitoi shumë”, u shpreh ai.

Sa i përket Kylian Mbappe, yllit të Real Madridit, Kaka theksoi se rezultatet e ekipit nuk ishin të mjaftueshme për ta favorizuar në garën për çmimin. “Ai nuk fitoi shumë me Real Madridin”, argumentoi ish-futbollisti.

Edhe për talentin e Barcelonës, Kaka pranoi se Lamine Yamal kishte fituar tituj, por vlerësoi se ndikimi i tij në fushë nuk kishte qenë në nivelin e pritshmërive. Sipas tij, “Lamine Yamal nuk ishte aq vendimtar sa pritej”.

Megjithatë, pavarësisht këtij vlerësimi, ish-lojtari i Serie A beson se ylli i ri i Barcelonës do të ketë mundësi të triumfojë në edicionet e ardhshme të çmimit.

“Koha e tij do të vijë, por duke marrë parasysh performancën gjatë gjithë sezonit, më duket si vendimi i duhur”, përfundoi Kaka.


Shtuar më 31.10.2026 13:07

Quantcast