RDM kërkon kritere të qarta për kalimin e 6,000 të angazhuarve në punësim të përhershëm

Projektligji për shndërrimin e angazhimeve kontraktuale në marrëdhënie të rregullta pune krijon mundësinë që personat e punësuar me kontrata pune me copë, kontrata autoriale, kontrata me afat të caktuar ose përmes agjencive të fitojnë status të përhershëm në sektorin publik. Sipas Qeverisë, masa do të përfshinte rreth 6,000 persona, bëri të ditur partia Rinovimi Demokratik i Maqedonisë.

RDM vlerëson se pasiguria e zgjatur e këtyre punonjësve dhe nevoja e tyre për një vend pune të qëndrueshëm kërkojnë zgjidhje. Megjithatë, partia shpreh shqetësim për mungesën e garancive të qarta lidhur me ekspertizën, kompetencat dhe trajtimin e barabartë. Në propozim, sipas saj, nuk paraqitet një ndarje e hollësishme e 6,000 personave sipas institucioneve, ndërsa mbetet e paqartë nëse këto angazhime përputhen me nevojat reale për staf.

Të lidhura

None found

“Kjo krijon një mospërputhje të qartë me deklaratat publike të Ministrit Goran Minçev për departizimin dhe profesionalizimin. Ministri nuk mund të përsërisë se kompetenca duhet të jetë kriteri kryesor i punësimit, ndërsa njëkohësisht të mos garantojë respektimin e sistemit të meritës. Për këtë arsye, RDM kërkon transparencë të plotë, kritere të bëra publike, analizë paraprake të nevojave për çdo vend pune dhe verifikim të kualifikimeve. Gjithashtu, nevojitet mbikëqyrje e pavarur e procesit dhe publikim periodik i të dhënave nga institucionet. Vetëm në këtë mënyrë mund të garantohet siguria në punë për personat e angazhuar dhe mbrojtja e interesit publik përmes përdorimit efikas të fondeve të taksapaguesve. Çështja nuk është nëse këta njerëz meritojnë siguri, por nëse shteti do ta përdorë këtë proces për një profesionalizim real apo thjesht do t’i kthejë angazhimet ekzistuese në punësime të përhershme. Minçevi nuk mund të flasë për çpartiakizim dhe punësim mbi bazën e meritës pa dhënë garanci konkrete se këto parime do të zbatohen edhe gjatë këtij transformimi. Përcaktimi i punësimit në administratë duhet të largohet më në fund nga selia e partisë dhe t’u besohet profesionalizmit e kompetencës”, deklarojnë nga RDM.


Shtuar më 31.10.2026 13:12

Quantcast