Gërmimet arkeologjike në Apoloni, ministri Gonxhja: Zbulimet na ndihmojnë të njohim më mirë pasurinë tonë antike
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka bërë të ditur rezultatet e kërkimeve arkeologjike në Tempullin e Shtyllasit në Apoloni, ku një mision shqiptaro-gjermano-rumun po sjell të dhëna të reja mbi trashëgiminë antike.
Në një postim në rrjetet sociale, ministri Gonxhja bën me dije se gërmimet kanë mundësuar verifikimin e planimetrisë së plotë të tempullit, ndërsa blloqet e ripërdorura në bazament dëshmojnë për një ndërtim më të hershëm se shekulli IV para Krishtit.
Sipas ministrit, fragmentet arkitekturore dhe tjegullat e mermerit dëshmojnë rëndësinë e këtij monumenti të stilit dorik, i cili ngrihej mbi portin lumor të Apolonisë.
Kërkimet po zhvillohen në bashkëpunim me Institutin e Arkeologjisë në Tiranë dhe Institutin Winckelmann të Universitetit Humboldt të Berlinit.
Gonxhja thekson se këto zbulime ndihmojnë në njohjen më të mirë të pasurisë arkeologjike të vendit dhe në përcjelljen e historisë së saj te vizitorët.
“Në Tempullin e Shtyllasit në Apoloni, kërkimet e misionit arkeologjik shqiptaro-gjermano-rumun, në bashkëpunim me Institutin e Arkeologjisë në Tiranë dhe Institutin Winckelmann të Universitetit Humboldt të Berlinit, po pasurojnë njohuritë mbi trashëgiminë tonë antike. Gërmimet kanë verifikuar planimetrinë e plotë të tempullit, ndërsa blloqet e ripërdorura në bazament dëshmojnë një ndërtim më të hershëm se shekulli IV p.K. Fragmentet arkitekturore dhe tjegullat e mermerit tregojnë rëndësinë e këtij monumenti dorik, që ngrihej mbi portin lumor të Apolonisë. Zbulime që na ndihmojnë ta njohim më mirë këtë pasuri dhe t’ua përcjellim historinë e saj vizitorëve”, shkruan ministri.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.









