Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka paralajmëruar punonjësit e Policisë së Shtetit se do të mbajnë përgjegjësi ligjore për çdo rast intimidimi apo dhune ndaj protestuesve. Pas përplasjeve pranë Kryeministrisë, Këlliçi deklaroi se PD-ja do të ndjekë ligjërisht efektivët që, sipas tij, shkelin të drejtat e qytetarëve.
“Të ketë kujdes kush intimidon protestuesit, do t’i përndjekim derisa të kemi fuqi”, ishte mesazhi që deputeti u përcolli efektivëve të policisë.
Këlliçi akuzoi kryeministrin Edi Rama se po tenton të vendosë një shtet policor, duke iu referuar kufizimeve të lëvizjes së qytetarëve dhe pengesave që, sipas tij, po u krijohen protestuesve për t’iu bashkuar tubimit në bulevardin përpara Kryeministrisë.
Deputeti i PD-së pretendoi se qindra qytetarë dhe mbështetës të opozitës ishin bllokuar prej rreth gjysmë ore dhe nuk lejoheshin të ecnin drejt bulevardit për t’iu bashkuar protestës.
“Ku e keni vendimin? Nuk kam vendim. Po ku ke një dokument zyrtar?”, tregoi Këlliçi për përballjen me efektivët, duke i akuzuar ata për zbatim të urdhrave pa një bazë ligjore.
Ai deklaroi se Partia Demokratike është në mbështetje të plotë të protestës së studentëve, por theksoi se drejtimin dhe agjendën e saj e përcaktojnë vetë të rinjtë.
“Skenari do të jetë në mbështetje të studentëve. Kjo është protesta e studentëve. Agjendën e caktojnë studentët. Partia Demokratike ka thirrur anëtarësinë e saj, mbështetësit, simpatizantët për t’u ardhur në ndihmë studentëve. Çfarëdo që studentët të vendosin dhe të bëjnë, ne do të jemi në mbështetje të plotë të tyre”, u shpreh Këlliçi.
Deputeti njoftoi gjithashtu se PD-ja do të ofrojë asistencë ligjore për protestuesit që mund të përballen me gjoba administrative apo procedime penale. Ai përmendi 560 raste të mëparshme të të rinjve dhe studentëve, të cilët sipas tij janë mbrojtur nga grupi i ekspertëve ligjorë të Partisë Demokratike.
Këlliçi i cilësoi antikushtetuese masat e reja të qeverisë për tubimet dhe paralajmëroi se opozita do të ndjekë ligjërisht punonjësit e policisë që, sipas saj, cenojnë të drejtat e qytetarëve.a.b




