“Sot ka vetëm një mesazh”, Noka nga protesta: Edi Rama largohu, nuk mund ta mbash pushtetin me dhunë
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka folur për mediat gjatë protestës së opozitës para Kryeministrisë, duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama nga pushteti.
Noka deklaroi se mesazhi i protestës së sotme është i qartë: “Edi Rama largohu”, ndërsa akuzoi qeverinë se po përpiqet të mbajë pushtetin përmes dhunës policore.
Ai theksoi se protesta e dytë kombëtare e PD-së është organizuar në sinkron me protestën e studentëve, duke shprehur mbështetjen e opozitës për kërkesat e tyre.
“Të gjithë shqiptarët kanë vetëm një mesazh dhe ne si demokratë e përcjellim sot këtu, studentët që janë atje. Ka vetëm një mesazh: Edi Rama largohu, ti nuk mund ta mbash pushtetin me dhunë. Askush nuk të do më, askush nuk të mbështet më. Me dhunë policore e kanë tentuar edhe diktatorë të tjerë dhe ti e di secili është fundi”, tha Noka.
Më tej, sekretari i Përgjithshëm i PD-së tha se kërkesat e studentëve duhet të dëgjohen dhe të respektohen, duke theksuar se opozita do të vijojë t’i mbështesë ata.
“PD ka qenë dhe është dhe do të vazhdojë t’i mbështesë kërkesat e studentëve dhe studentët në protestën e tyre. Ne u mblodhëm këtu për të filluar protestën, tashmë protesta do të vijojë tek studentët atje tek sheshi ku ata nisën betejën”, tha Noka.
Pas përfundimit të deklaratës demokratët u zhvendosën drej ministrisë së Arsimit, aty ku po mbahet protesta e studentëve.




