Sport

E papritur për Egnatian, lajmi i rëndësishëm vjen nga UEFA në Ligën e Konferencës

Eljon Sota u dëmtua rëndë tek Egnatia në sfidën ndaj Teutës, ndërsa në vazhdim do të konfirmohet se për sa kohë do të qëndrojë jashtë. “Panorama Sport” zbulon përmes rregullores së UEFA-s, që rrogozhinasit mund ta zëvendësojnë Sotën në listën e lojtarëve të Europës. Ky skenar i papritur i gjeti kampionët e drejtuar nga Nevil Dede në një moment delikat mes kampionatit dhe Europës.

Deri tani bëhet fjalë për një dëmtim të rëndë dhe UEFA lejon që të ketë zëvendësim. Rrallë herë mund të caktohet edhe një ekspert i UEFA-s për të konfirmuar dëmtimin, por ky nuk duket rasti i Sotës për të cilin pamjet janë të qarta.

ZËVENDËSUESI: Nevil Dede do të vendosë tek Egnatia se cili prej Ledio Beqjas, Deivid Hoxhës, Zyber Çullhajt, Bjorni Dukës dhe Reis Bakallit do e zëvendësojë Sotën. Kujtojmë se sfida e radhës në Europë është përballë Universita Kraiovas, më 5 nëntor ora 21:00.

RREGULLORJA E UEFA-S;

Zëvendësimi i një lojtari të regjistruar në Listën A lejohet edhe pas afateve të përcaktuara në këtë rregullore, në rastet dhe në kushtet e mëposhtme:

Dëmtimi ose sëmundja afatgjatë e një lojtari të fushës: Gjatë fazës së ligës, deri në përfundim të raundit të gjashtë, klubi në fjalë mund të zëvendësojë përkohësisht një maksimum prej një lojtari dhe të regjistrojë një lojtar të ri. Klubi duhet të përfundojë procedurën zyrtare të regjistrimit të Listës A me lojtarin zëvendësues, i cili duhet të jetë regjistruar në klub, në përputhje me Nenin 30, përpara afatit të përcaktuar për Listën A.

Një dëmtim ose sëmundje e një lojtari të fushës konsiderohet afatgjatë nëse zgjat të paktën 60 ditë, duke filluar nga dita kur ka ndodhur dëmtimi ose kur kanë shfaqur simptomat e para të sëmundjes. Nëse lojtari i fushës rikuperohet përpara përfundimit të këtij afati 60-ditor, ai sërish nuk ka të drejtë të marrë pjesë në Ligën e Konferencës) deri në përfundimin e këtij afati.

Klubi duhet t’i paraqesë UEFA-s dokumentacionin e nevojshëm mjekësor, në një nga gjuhët zyrtare të UEFA-s. Përpara se të konfirmojë zëvendësimin, UEFA mund të kërkojë që lojtari i dëmtuar ose i sëmurë t’i nënshtrohet një ekzaminimi të mëtejshëm mjekësor nga një ekspert i caktuar prej saj, me shpenzimet që mbulohen nga klubi.

Sapo lojtari i dëmtuar ose i sëmurë të jetë përsëri në gjendje për të luajtur, ai rifiton të drejtën e aktivizimit dhe/ose mund të rikthehet në vendin e zëvendësuesit të tij, i cili, për pasojë, duhet të hiqet nga lista.

Rikthimi i lojtarit fillestar duhet t’i njoftohet administratës së UEFA-s jo më vonë se ora 23:59, një ditë përpara ndeshjes së radhës në të cilën lojtari fillestar pritet të aktivizohet”.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.