Lajmi i fundit

LIVE/ Opozita dhe studentët në protestë kombëtare, kërkohet dorëheqja e Ramës

Pano: Opozita në një front me studentët, largimi i Ramës dhe qeveria tranzitore janë objektivi ynë

13:16, 31/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Jonathan Pano, deklaroi se Partia Demokratike e konsideron protestën studentore dhe atë opozitare si një front të përbashkët kundër qeverisë së Edi Ramës.

Ai theksoi se opozita është e bashkuar në mbështetje të kërkesave të studentëve, duke kërkuar largimin e Ramës, krijimin e një qeverie tranzitore dhe hapjen e rrugës për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Fjala e tij:

Nuk e kam parë si dy protesta të veçuara, por si një protestë të unifikuar, së cilës Partia Demokratike i bashkohet protestës studentore.

Elementë dhe struktura të Partisë Demokratike, së bashku me të rinj të tjerë të PD-së, kemi qenë pjesë që nga protesta e Flamingove e deri te protesta studentore, që prej ditës së parë.

Por duhet të jemi të ndërgjegjshëm për diçka: protestat janë një maratonë dhe jo një sprint. Ato kanë ciklet e tyre, uljet dhe ngritjet e tyre. Prandaj, është më e rëndësishme se kurrë që Partia Demokratike dhe i gjithë fronti opozitar të jenë të bashkuar sot, më shumë se kurrë, në mbështetje të kërkesave të studentëve: largimi i Edi Ramës, krijimi i një qeverie tranzitore dhe jo të përkohshme, si dhe hapja e rrugës për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Më pas, Partia Demokratike duhet të paraqesë alternativën e saj përpara popullit, në mënyrë që të marrë besimin e qytetarëve për të qeverisur.

Arma e fundit që i ka mbetur Edi Ramës është tashmë përdorimi i frikës. Por të rinjtë dhe të rejat e kanë treguar se nuk i tremben këtij narkoshteti. Ata do të qëndrojnë dhe do t'u bëjnë ballë të gjitha presioneve që regjimi tenton të ushtrojë ndaj tyre.

Një nga armët që ka gjithashtu qeveria është lodhja e protestuesve, dhe këtë e kemi parë edhe në protestat e mëparshme. Por këtë herë qytetarët janë të vendosur, studentët janë të vendosur dhe Partia Demokratike ka shtrirë dorën e saj për të bashkuar të gjitha frontet, në mënyrë që të jemi në krah të studentëve në një moment kaq vendimtar për Shqipërinë tonë.

Qëllimi i protestës, që është dorëheqja e Edi Ramës, do të arrihet nëse qytetarët nuk dorëzohen. Dhe kjo është ajo që ne shpresojmë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco