Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës, Gëzim Berisha, është arrestuar nën dyshimin për dhunë në familje.
Sipas burimeve të “Betimi për Drejtësi”, Berisha dyshohet se e ka kërcënuar bashkëshorten e tij, duke i thënë se do t’i ndodhte e njëjta gjë si Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor 2026.
Zekaj u vra nga i dyshuari Albert Sylaj, ish-kunati i saj, pasi paraprakisht kishte raportuar ish-bashkëshortin, Jeton Sylaj, për dhunë në familje.
Rasti i vrasjes së Arlinda Zekajt ka nxitur reagime dhe protesta, me kërkesa për drejtësi dhe trajtim më të mirë institucional të rasteve të dhunës në familje.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar për Dukagjinin se Berisha është ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Dhuna në familje”.
“Me urdhër të prokurorit kujdestar, është ndaluar për 48 orë personi me inicialet G.B për shkak se dyshohet për kryerjen e veprës penale ‘dhunë në familje’. Ndërkohë, prokurori i shtetit në këtë rast po ndërmerr të gjitha masat dhe veprimet hetimore me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të këtij rasti”, u shpreh zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Kaltrina Shala.