Sot do të mbahet protesta kombëtare e thirrur nga Partia Demokratike dhe studentët, në vijim të tubimeve të ditëve të fundit në Tiranë. Studentët kanë njoftuar se do të mblidhen të shtunën në orën 12:00 përpara Ministrisë së Arsimit, ndërsa në mbështetje të tyre do të jetë Partia Demokratike. Kryetari i PD-së, Sali Berisha, të premten ftoi anëtarët, mbështetësit e partisë dhe qytetarët nga mbarë vendi që t’i bashkohen protestës kombëtare në orën 12:00, në mbështetje të protestës studentore.
Pedagogët pritet të jenë në mbështetje të studentëve; ata prej disa ditësh kanë bojkotuar procesin mësimor, duke iu bashkuar kërkesave për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Studentët kanë njoftuar gjithashtu se në orën 14:00 do ta vijojnë protestën para Kryeministrisë. Nuk dihet se sa do të zgjasë protesta; në tubimet e mëparshme janë regjistruar incidente dhe përplasje mes protestuesve dhe policisë.
Në marshimin e zhvilluar më parë për këtë fushatë, Sali Berisha nuk ka marrë pjesë. Në krye të marshimit ishin deputetët demokratë Flamur Noka, Gazment Bardhi, Agron Gjekmarkaj e të tjerë, të ndjekur nga mbështetës të Partisë Demokratike. Pasi qëndruan rreth 30 minuta përpara Kryeministrisë, protestuesit demokratë me në krye deputetët e opozitës u nisën drejt Ministrisë së Arsimit.
Sapo protestuesit e udhëhequr nga deputetët e opozitës mbërritën në hyrje të Rrugës së Durrësit, u pritën me thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg”. Ka pasur edhe një përplasje me një protestues, i cili kërkoi që të largoheshin deputetët e opozitës. Lajmi transmetohet nga Top Channel.
