Kur ChatGPT u bë fenomen global në fund të vitit 2022, shumëkush parashikoi se motorët tradicionalë të kërkimit në internet gradualisht do të zhdukeshin.

Megjithatë, katër vjet më vonë, Google po regjistron rritjen më të shpejtë të numrit të kërkimeve në pesë vjetët e fundit, ndërsa për këtë, sipas kompanisë, merita i takon pikërisht inteligjencës artificiale që duhej ta rrezikonte biznesin e saj.


Rezultatet financiare të kompanisë Alphabet për tremujorin e tretë të vitit 2026 tregojnë se të ardhurat nga kërkimi në Google dhe shërbimet e lidhura me të janë rritur për 12 për qind, duke arritur në 63.35 miliardë dollarë.

Drejtori ekzekutiv i kompanisë, Sundar Pichai, theksoi se funksionet e inteligjencës artificiale po i nxisin përdoruesit të bëjnë më shumë pyetje, përfshirë edhe ato që lidhen me blerjen e produkteve dhe shërbimeve.

Megjithatë, më shumë kërkime nuk nënkuptojnë automatikisht edhe më shumë të ardhura. Pavarësisht rritjes, të ardhurat nga kërkimi mbetën nën pritjet e analistëve, të cilët parashikonin rreth 65 miliardë dollarë.

Problemi qëndron te fakti se Google ende nuk ka gjetur një mënyrë po aq efikase për të fituar para nga kërkimet e bazuara në inteligjencën artificiale, sa nga rezultatet tradicionale të kërkimit.

Funksioni AI Mode u ofron përdoruesve përgjigje përmes bisedave me inteligjencën artificiale, duke ndryshuar mënyrën e shfaqjes së reklamave dhe mundësitë për të përfituar financiarisht prej tyre.

Philipp Schindler, drejtori i biznesit në Google, konfirmoi se AI Mode aktualisht gjeneron më pak të ardhura nga reklamat, duke qenë një prej faktorëve që po ngadalësojnë rritjen e të ardhurave. Në rezultate kanë ndikuar gjithashtu edhe kurset e këmbimit valutor dhe ndryshimet në shpenzimet e disa reklamuesve.

Për këtë arsye, Google po zgjeron gradualisht shfaqjen e reklamave në funksionet AI Mode dhe AI Overviews, duke pretenduar se eksperimentet e deritanishme kanë dhënë rezultate premtuese.

Situata është mjaft e pazakontë. Inteligjenca artificiale nuk i ka larguar përdoruesit nga kërkimi në Google, por, sipas të dhënave të kompanisë, po i nxit ata ta përdorin atë edhe më shumë.

Sfida e vërtetë për Google tani nuk është më se si t'i mbajë përdoruesit, por si të përfitojë nga zakonet e tyre të reja të kërkimit po aq sa dikur. /Telegrafi/