Studentët refuzojnë PD-në në protestë, mirëpresin qytetarët, por jo deputetët: Rama e Berisha janë një
Studentët kanë kundërshtuar praninë e përfaqësuesve të Partisë Demokratike në protestën e tyre para Ministrisë së Arsimit, duke theksuar se tubimi është qytetar dhe nuk dëshirojnë përfshirjen e partive politike.
Pas mbërritjes së deputetëve demokratë, të udhëhequr nga Flamur Noka, studentët kanë bërë të qartë se mirëpresin qytetarët, por jo Sali Berishën dhe deputetët e tij.
“Kjo protestë është e popullit. Ai që nuk është i mirëpritur është një person që vetë ekzistenca e tij simbolizon një parti. Nuk duam persona që janë simbol i partive politike që na kanë rrënuar ndër vite”, u shpreh një prej studentëve.
Studentët kanë artikuluar edhe kritikat e tyre ndaj politikës së ndjekur ndër vite nga të dyja forcat kryesore politike, duke përdorur sloganin: “Rama burg, Berisha burg”.
“Për Sazanin pro, për Zvërnecin pro, për muzeun pro. Çfarë dallimi ka Berisha nga Rama? Janë njësoj”, u shpreh protestuesi.
Studentët kanë kërkuar që protesta të ruajë karakterin e saj qytetar dhe të mos identifikohet me asnjë forcë politike.




