Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka përcjellë një mesazh të drejtpërdrejtë për kryeministrin Edi Rama nga protesta e opozitës, duke kërkuar largimin e tij nga pushteti.
“Edi Rama largohu, ti nuk mund ta mbash pushtetin me dhunë”, deklaroi Noka, duke akuzuar kryeministrin se po përpiqet të qëndrojë në pushtet përmes dhunës policore.
Sipas Nokës, ky është mesazhi i përbashkët i shqiptarëve dhe i demokratëve që janë mbledhur në protestë, ndërsa theksoi se askush nuk e mbështet më qeverinë.
“Askush nuk të do më, askush nuk të mbështet më. Me dhunë policore e kanë tentuar edhe diktatorë të tjerë dhe ti e di se cili është fundi”, u shpreh ai.
Noka tha se protesta e dytë kombëtare e Partisë Demokratike është organizuar në sinkron me protestën e studentëve, me qëllim mbështetjen e kërkesave të tyre dhe përcjelljen e zërit të të rinjve.
Ai siguroi se PD-ja do të vijojë të mbështesë studentët dhe kërkesat e tyre, ndërsa njoftoi se protestuesit e opozitës do t’i bashkohen studentëve në sheshin ku ata kanë nisur protestën.
“Ne u mblodhëm këtu për të filluar protestën, tashmë protesta do të vijojë tek studentët, atje tek sheshi ku ata nisën betejën”, deklaroi Flamur Noka. a.b





