Protestuesit u vënë flakën koshave te Ministria e Arsimit
Situata në protestën e zhvilluar përpara Ministrisë së Arsimit është tensionuar më tej mesditën e kësaj të shtune. Disa prej protestuesve kanë ndezur flakadanë blu dhe të kuq, ndërsa në rrugën përpara institucionit janë djegur kartonë dhe kosha mbeturinash.
Pamjet nga tubimi tregojnë një tjetër moment përshkallëzimi të protestës, e cila po shoqërohet me tensione dhe përplasje mes pjesëmarrësve dhe përfaqësuesve të forcave politike.
Zhvillimet vijnë në një klimë të ndezur, ku krahas kërkesave të studentëve ndaj qeverisë, në qendër të vëmendjes janë vendosur edhe përplasjet me përfaqësuesit e Partisë Demokratike. Një pjesë e protestuesve kanë kundërshtuar praninë e deputetëve dhe militantëve demokratë, duke këmbëngulur se protesta duhet të mbetet e pavarur nga partitë politike.
Djegia e koshave dhe ndezja e flakadanëve shënojnë një tjetër episod të tensionuar në tubimin përpara Ministrisë së Arsimit, ndërsa situata vijon të mbetet e paqartë lidhur me zhvillimet e mëtejshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



