De Biasi kujton rrugëtimin me Shqipërinë: Futbollistët nga Kosova sollën cilësi dhe besimin te mrekullia

Gianni De Biasi ka rikujtuar periudhën që e çoi nga një përvojë zhgënjyese në Itali drejt drejtimit të Kombëtares shqiptare dhe, më vonë, te kualifikimi historik në Euro 2016.

I ftuar në emisionin radiofonik “Storie di Calcio” të mediumit italian Tuttomercatoëeb.com, ish-trajneri tregoi se në fillim nuk e kishte parashikuar që Shqipëria do të ishte destinacioni i tij i radhës.

Të lidhura

None found

“Te Udinese kalova një periudhë zhgënjyese dhe vendosa se nuk doja të punoja më në Itali. Më pas më erdhi një ofertë nga Shqipëria. U takova me drejtuesit në Milano. Më vonë, një gazetar më njoftoi se më kishin përzgjedhur, por unë nuk isha gati. Lecce më kërkonte në Serie A, por pranimi i asaj oferte do të thoshte të mos mbaja fjalën. Në fund u morëm vesh dhe nisa rrugëtimin si trajner”, u shpreh De Biasi.

Aventura e tij zgjati gjashtë vjet dhe shënoi një kthesë të rëndësishme për futbollin shqiptar. Ai e mori drejtimin e ekipit në një periudhë riorganizimi, kur Kombëtarja kërkonte identitet dhe lojtarë të rinj po afroheshin.

“U gjenda në një fazë kalimi nga një brez te tjetri. Shkova pa e menduar gjatë, por dëshiroja të rifilloja. Dy vitet e para shkuan mjaft mirë, ndërsa në dy vitet pasuese arritëm të përmirësoheshim”, tha ai.

De Biasi veçoi edhe përfshirjen e futbollistëve shqiptarë nga Kosova, të cilët në atë kohë nuk mund ta përfaqësonin Kosovën, pasi ajo ende nuk ishte njohur nga FIFA.

Sipas trajnerit italian, ardhja e tyre ndihmoi në rritjen e ekipit si në numër, ashtu edhe në cilësi, ndërsa skuadra ndërtohej gradualisht për të arritur suksesin historik.

“Munda t’i sillja në Kombëtare futbollistët nga Kosova, që ende nuk njiheshin nga FIFA. U shtuam në numër dhe u përmirësuam në cilësi. Gjithashtu, arrita t’u krijoja bindjen se mund të ndodhte një mrekulli, që kulmoi me kualifikimin në Euro 2016”, përfundoi De Biasi.

Ajo që trajneri e përshkroi si mrekulli u bë realitet: Shqipëria u kualifikua për herë të parë në një turne madhor, duke marrë pjesë në Kampionatin Evropian të vitit 2016 pas dekadash larg skenës më të madhe të futbollit.


Shtuar më 31.10.2026 14:30

Quantcast