Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, u intervistua të premten nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës si i pandehur, në kuadër të hetimeve për projektin “Arkitekti i Kryeqytetit”. Ai dyshohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Reagim për intervistimin dha edhe Gëzim Sveçla, shef i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës. Në një deklaratë për “Bota sot”, ai tha se e mirëpresin veprimin e Prokurorisë Speciale dhe se ligji duhet të zbatohet njësoj për të gjithë.
Të lidhura
None found
“E mirëpresim intervistimin e kryetarit të Prishtinës, z. Përparim Rama, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës. Llogaridhënia dhe përgjegjësia ligjore janë parime themelore të një shoqërie demokratike, ku sundimi i ligjit duhet të vlejë për të gjithë, pa përjashtim”, deklaroi Sveçla.
Sipas tij, Vetëvendosje e kundërshtoi projektin “Arkitekti i Kryeqytetit” që në paraqitjen e tij, pasi pretendon se ai krijonte mundësi të mëdha për korrupsion dhe keqpërdorim të parave publike.
“Që nga prezantimi i projektit ‘Arkitekti i Kryeqytetit’, kemi qenë kundër, sepse ishte e qartë se paraqiste potencial të madh për korrupsion dhe abuzim me buxhetin e qytetarëve të Prishtinës. E kundërshtuam në Kuvendin Komunal, ngritëm shqetësimin në media dhe dorëzuam kallëzime penale te institucionet kompetente”, u shpreh ai.
Sveçla kritikoi gjithashtu qeverisjen e Ramës, duke përmendur shkeljet ligjore, mungesën e transparencës, nepotizmin dhe klientelizmin. Ai tha se për Vetëvendosjen, përfshirja e Prokurorisë Speciale në çështjet e qeverisjes lokale ishte një përfundim i pritshëm.
“Për shkak të mënyrës së qeverisjes së zotit Rama dhe subjekteve që e mbështesin, shkeljeve të përsëritura të ligjit, mungesës së transparencës, nepotizmit dhe klientelizmit të shfaqur, trajtimi i qeverisjes lokale nga Prokuroria Speciale ishte një epilog i pritur dhe i pashmangshëm për ne”, tha Sveçla.
Ai pretendoi se projekti është vetëm një nga rastet për të cilat Rama mund të përballet me përgjegjësi penale, duke përmendur edhe “Skandalin e Legalizimeve” dhe kontratën për ndriçimin Smart.
“Jemi të bindur se ‘Arkitekti i Kryeqytetit’ është vetëm njëri nga rastet për të cilat Përparim Rama do të përgjigjet penalisht. Skandali i Legalizimeve, kontrata për ndriçimin Smart dhe shumë raste të tjera nuk mbeten prapa ‘Arkitektit të Kryeqytetit’ për nga abuzimi me buxhetin publik”, deklaroi ai.
Sveçla përfundoi duke thënë se, nëse drejtësia synon të zbardhë keqpërdorimet e pesë viteve të fundit në Komunën e Prishtinës, kjo mund të shënojë fundin politik të Ramës dhe jo vetëm të tij.
“Nëse drejtësia është e drejtë dhe synon vërtet të zbardhë keqpërdorimet që kanë ndodhur në Komunën e Prishtinës gjatë pesë viteve të fundit, atëherë ky padyshim do të jetë fundi politik i Përparim Ramës, por jo vetëm i tij”, përfundoi Sveçla.






