Përshkallëzohet protesta para Ministrisë së Arsimit, hidhen molotovë ndaj Policisë. Turma zhvendoset drejt Kryeministrisë

Aktualitet | 5 orë më parë

Në Tiranë po zhvillohen këtë të shtunë, 31 tetor, dy protesta kombëtare: njëra e organizuar nga studentët, pedagogët dhe të rinjtë para Ministrisë së Arsimit, dhe tjetra e thirrur nga Partia Demokratike para Kryeministrisë.

Protesta studentore vijon prej 19 ditësh, ndërsa Partia Demokratike ka organizuar tubimin e saj të dytë kombëtar në mbështetje të studentëve.

Situata është tensionuar pasi studentët kanë refuzuar bashkimin e protestuesve të PD-së me tubimin e tyre.

Zhvillimet minutë pas minute:

15:35 Policia përdor autobotin pas hedhjes së molotovëve, protestuesit largohen nga Ministria e Arsimit drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”

Situata në protestën e studentëve u përshkallëzua pasi disa protestues hodhën bomba molotov, gurë dhe sende të forta në drejtim të forcave të Policisë.

Pas incidenteve, Policia ndërhyri me autobotë me ujë për të shpërndarë turmën dhe për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve.

Ndërkohë, reshjet e shiut që përfshinë zonën ndikuan gjithashtu në uljen e pjesëmarrjes në protestë.

Një pjesë e protestuesve, të pajisur me çadra dhe mushama, nisën të largohen nga zona përpara Ministrisë së Arsimit, duke lëvizur në drejtim të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

15:28 – Protestuesit hedhin molotovë, policia hedh ujë me presion

Protesta para Ministrisë së Arsimit është përshkallëzuar sërish në dhunë, pasi protestuesit e maskuar kanë sulmuar me gurë e molotovë efektivët e policisë. Për t’i shpërndarë dhe për të ndalur sulmet, Policia ka ndërhyrë me ujë me presion.

14:56 – Pas djegies së koshave, protestuesit godasin policinë me llastiqe, kapsolla dhe gurë

Vijon tensioni në protestën para Ministrisë së Arsimit. Disa protestues kanë qëlluar me llastiqe dhe kapsolla në drejtim të policisë. Protestuesit e maskuar janë rreshtuar përballë efektivëve të policisë dhe kanë qëlluar në drejtim të tyre me llastiqe dhe gurë.

14:49 – Protesta, Boçi: Solidarizohemi me studentët, nuk duam t’i marrim vëmendjen

Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, në një lidhje të drejtpërdrejtë me RTSH-në, ka komentuar zhvillimet e protestës dhe përplasjet mes protestuesve, duke theksuar se fokusi duhet të jetë te qëllimi i përbashkët politik.

Boçi u shpreh se thirrjet e bëra nën efektin e emocioneve janë të paarsyeshme, pasi protestuesit duhet të bashkohen rreth një objektivi të përbashkët, pavarësisht bindjeve apo qëndrimeve të ndryshme ideologjike. Sipas tij, qëllimi kryesor i protestës është largimi i kryeministrit Edi Rama dhe krijimi i një qeverie teknike apo kujdestare.

“Thirrjet nën efektin e emocioneve do t’i konsideroja thirrje të paarsyeshme, sepse njerëzit i bashkon qëllimi. Ata solidarizohen me njëri-tjetrin, jo sepse njihen apo kanë të njëjtat forma të të menduarit ose të njëjtat bindje ideologjike, por sepse kanë një qëllim të përbashkët. Në rastin konkret, qëllimi është largimi i Ramës dhe krijimi i një qeverie teknike, kujdestare. Nuk ka rëndësi emri. Pikërisht këtu duhet të fokusohet e gjithë energjia, si ajo protestuese, ashtu edhe ajo e prononcimeve dhe qëndrimeve politike. Këto janë akte apolitike ose antipolitike, të cilat fusin një konflikt brenda atyre njerëzve që duan të jenë bashkë. Askush nuk ka të drejtë të cenojë sigurinë e tjetrit apo t’i zërë hapësirën. Ka plot njerëz që kanë motivacione të ndryshme për të ardhur. Ndoshta nuk janë dakord me njëri-tjetrin për çështje dytësore apo tretësore, por nuk mund t’i vënë këto mendime në plan të parë, ndërkohë që qëllimi kryesor është realizimi i një proteste që përcjell mesazhin te të gjithë qytetarët shqiptarë se Rama e ka mbushur kupën dhe duhet të largohet. Përndryshe, do t’i zgjasësh edhe më shumë kohën e qëndrimit në pushtet, të cilën ti, në mënyrë konkrete, po kërkon ta shkurtosh”, u shpreh deputeti.

14:10 – Tension para Ministrisë së Arsimit, digjen kosha dhe kartonë

Situata është tensionuar para Ministrisë së Arsimit, ku protestuesit kanë ndezur tymuese blu dhe të kuqe. Gjithashtu, janë djegur kartonë dhe kosha mbeturinash në rrugën përpara institucionit.

13:43 – Studentët nuk lejojnë bashkimin e protestuesve të PD-së

Protestuesit e mbledhur para Ministrisë së Arsimit nuk kanë mirëpritur pjesëmarrësit e protestës së Partisë Demokratike dhe nuk kanë lejuar bashkimin e tyre me protestën studentore.

13:32 – PD thërret protestën e dytë kombëtare në mbështetje të studentëve

Partia Demokratike ka organizuar protestën e saj të dytë kombëtare, në mbështetje të studentëve, të cilët shënojnë ditën e 19-të të protestës. Sipas raportimeve nga terreni, protestuesit e PD-së pritet të marshojnë drejt bulevardit.

12:13 – Studentët dhe pedagogët mblidhen para Ministrisë së Arsimit

Studentët dhe pedagogët janë mbledhur para Ministrisë së Arsimit, në vijim të protestës së tyre kundër situatës në arsim. Ata kanë refuzuar ftesat për dialog të kryeministrit Edi Rama, duke këmbëngulur në plotësimin e kërkesave të tyre përpara nisjes së negociatave.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme