Situata është tensionuar në Rrugën e Durrësit, pranë Ministrisë së Arsimit, ku po vijon protesta e studentëve dhe qytetarëve.
Gjatë tubimit, disa protestues kanë përdorur llastiqe në drejtim të efektivëve të Policisë, ndërsa forcat e rendit kanë shtuar praninë në zonë.
Përmes thirrjeve me megafon, Policia u ka kërkuar protestuesve të distancohen nga aktet e dhunës dhe të vijojnë tubimin në mënyrë paqësore. Uniformat blu kanë paralajmëruar se, në rast se veprimet e dhunshme vazhdojnë, do të ndërhyjnë.
Tensionet vijnë pas disa incidenteve të regjistruara gjatë protestës. Më herët u dogjën kazanë mbeturinash dhe u ndezën tymuese, ndërsa pati edhe përplasje verbale mes disa studentëve dhe mbështetësve të Partisë Demokratike.
Forcat e Policisë vijojnë të qëndrojnë të pozicionuara në zonë, ndërsa situata mbetet e tensionuar.