E mbajtën 7 javë në pritje, Genoa zbulon “armën” e re në krahun e majtë
Shkruan opinionisti sportiv Niccolò Novello
Pas shtatë javësh pritjeje, Mario Mitaj ka fituar hapësirë te Genoa dhe ka nisur të tregojë cilësitë për të cilat klubi italian vendosi të investonte gjatë merkatos së verës.
Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare ka dhënë sinjale pozitive në ndeshjet ndaj Venezias dhe Juventusit, duke treguar se mund të jetë një alternativë e vlefshme për trajnerin Daniele De Rossi.
Fillimi i aventurës së tij në Itali nuk ishte i lehtë, pasi Mitaj e kishte të vështirë të gjente hapësira në formacion. Megjithatë, ndryshimet taktike dhe mungesat në skuadër i hapën rrugën shqiptarit për të treguar vlerat e tij.
Mundësia e parë e rëndësishme erdhi ndaj Venezias, kur Mitaj u aktivizua si titullar. Ai zhvilloi një paraqitje të kujdesshme dhe të rregullt, duke përmbushur detyrat e tij në mbrojtje.
Konfirmimi erdhi në sfidën ndaj Juventusit në “Ferraris”. I aktivizuar pas dëmtimit të Ellertsson, Mitaj u përball me Edon Zhegrovën dhe, sipas analizës së medias italiane, arriti ta kontrollonte me vëmendje, duke u treguar i saktë në ndërhyrjet dhe vendosjen mbrojtëse.
Shqiptari dha kontribut edhe në minutat e fundit, kur Juventusi po ushtronte presion në kërkim të golit, duke ndihmuar Genoan të largonte rrezikun dhe të dilte nga situatat e vështira.
Dy paraqitje të ndryshme, por me një mesazh të qartë: Mario Mitaj po shfrytëzon mundësitë e tij dhe po fiton besimin e Genoas.
Tashmë, objektivi i radhës është të fitojë më shumë minuta dhe të konkurrojë për një vend të qëndrueshëm në krahun e majtë, ku klubi e sheh edhe si një alternativë të mundshme për të ardhmen ndaj Aaron Martin.




