Saturday / October 31 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Lajmet Kryesore Nga Vendi Uncategorized Articles

Detyrimet, 67% e bizneseve përfituan faljen 100% të kamatave nga aktmarrëveshjet me OSHEE

Share Share Icon

Rreth 67% e bizneseve që kanë lidhur aktmarrëveshje me OSHEE Group për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura kanë zgjedhur t’i likuidojnë ato me një këst të vetëm, duke përfituar faljen e plotë të kamatëvonesave.

Deri në tetor 2026, gjithsej 789 biznese kanë përfituar reduktim të kamatëvonesave, ndërsa në total janë nënshkruar 5,762 aktmarrëveshje me Furnizuesin e Shërbimit Universal (FSHU). Marrëveshjet përfshijnë kategori të ndryshme klientësh dhe mbulojnë detyrimet e prapambetura të krijuara deri më 31 dhjetor 2024.

Sipas të dhënave zyrtare të OSHEE-së, numri i klientëve privatë që kanë zgjedhur shlyerjen e detyrimit me një këst është rritur me 20%, krahasuar me numrin e aktmarrëveshjeve të lidhura mes bizneseve dhe FSHU-së deri në gusht të këtij viti.

Burime nga OSHEE i thanë “Monitor” se një nga faktorët që ka ndikuar në këtë ecuri është lehtësimi i aksesit të abonentëve në platformat digjitale të kompanisë, përmes aplikacionit OSHEE Mobile dhe faqes zyrtare www.oshee.al.

Reduktimi i kamatëvonesave, nga 50% deri në 100%

Skema e aktmarrëveshjeve me OSHEE-në parashikon dy alternativa kryesore për shlyerjen e detyrimeve: pagesën e menjëhershme, e cila shoqërohet me reduktime më të larta të kamatëvonesave, dhe pagesën me këste, që u mundëson abonentëve ta shlyejnë detyrimin në një periudhë më të gjatë.

Klientët familjarë përfitojnë reduktim prej 70% të kamatëvonesave, ndërsa për klientët jofamiljarë parashikohet një ulje prej 50%.

Lehtësia më e madhe është parashikuar për bizneset e vogla, të cilat përfitojnë faljen 100% të kamatëvonesave në rast se likuidojnë të gjithë detyrimin me një pagesë të vetme.

Kjo skemë u jep bizneseve të vogla mundësinë të mbyllin menjëherë detyrimet ndaj furnizuesit të energjisë elektrike, duke shmangur kostot shtesë që lidhen me kamatëvonesat.

Pagesa me këste deri në 240 muaj për kategoritë e veçanta

Skema e aktmarrëveshjeve përfshin të gjitha kategoritë e klientëve që kanë detyrime të krijuara deri në fund të vitit 2024. Megjithatë, për disa kategori në kushte të veçanta ekonomike dhe sociale, lehtësitë shtrihen edhe mbi detyrimet e krijuara gjatë vitit 2025.

Konkretisht, familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike, pensionistët kryefamiljarë dhe personat me status të veçantë mund të përfshijnë në aktmarrëveshje edhe detyrimet e vitit 2025.

Për këta abonentë është përcaktuar një këst minimal prej 1,200 lekësh në muaj, ndërsa shlyerja e detyrimeve mund të shtrihet deri në 240 këste.

Kusht për përfitimin e kësaj lehtësie është që klientët të mos krijojnë detyrime të reja të papaguara gjatë vitit 2026. Kërkesa synon të sigurojë që, paralelisht me shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, abonentët të vijojnë të paguajnë rregullisht faturat e reja të energjisë elektrike.

Ndërkohë, për klientët buxhetorë, jobuxhetorë dhe bizneset, afatet e shlyerjes janë përcaktuar nga 24 deri në 120 këste.

Numri i kësteve përcaktohet në varësi të vlerës së detyrimit që duhet likuiduar, duke u dhënë klientëve mundësinë ta ndajnë pagesën në një periudhë më të gjatë kohore.

Skemë e veçantë edhe për faturat korrektive dhe sistemuese

Përveç detyrimeve të zakonshme të papaguara, OSHEE Group ka miratuar edhe një skemë të posaçme për faturat korrektive, përmbledhëse dhe sistemuese.

Në këtë kategori përfshihen edhe rastet që lidhen me demontimin ose testimin e matësve të energjisë elektrike, si dhe detyrimet që burojnë nga energjia e akumuluar në matës.

Për këto raste, klientët kanë mundësi të lidhin aktmarrëveshje dhe t’i shlyejnë detyrimet deri në 24 këste.

Edhe në këtë kategori, klientët që zgjedhin likuidimin e menjëhershëm të detyrimit përfitojnë reduktim të kamatëvonesave, sipas kushteve të përcaktuara në skemë.

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Turizmi nuk është më vetëm sezonal, po zgjeron bazën e blerësve të retail-it të veshjeve

Flet Mehmet Memo, Menaxher i LC Waikiki për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut   Për menaxherin e LC Waikiki për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut...

13 minutes më parë 6 Min Lexim

Shqipëria nga treg konsumator në qendër rajonale? Markat globale kërkojnë qëndrueshmëri politikash

Flet Era Xhabafti, zv.drejtoreshe e Përgjithshme e Mini Invest Albania   Rritja e turizmit, zgjerimi i retail-it modern dhe ndryshimi i sjelljes së...

15 minutes më parë 11 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!