Gattuso shpërthen para sfidës me Cagliarin: Nëse vjen ndonjë menaxher, mbyll derën me çelës dhe ndodh hataja Modrić, Lautaro, Barella e yjet e tjerë do të kërkojnë fitoren në fushë, ndërsa në tribuna pritet të jenë partneret e tyre. Nga historitë e dashurisë që kanë zgjatur prej vitesh, te martesat luksoze dhe familjet e krijuara larg vëmendjes publike, ja kush janë gratë që qëndrojnë pranë futbollistëve të Milanit dhe Interit.
Mbrëmjen e sotme, San Siro do të jetë skena e një prej përballjeve më të rëndësishme të futbollit italian. Milan dhe Inter zbresin në fushë në orën 20:45, për javën e 10-të të Serie A, në një derbi që premton emocione dhe spektakël. Por vëmendja nuk do të jetë vetëm te futbollistët. Në tribuna pritet të jenë edhe partneret e tyre, të cilat kanë historitë e tyre të dashurisë, familjes dhe jetës larg fushës së blertë.
Pas karrierës së jashtëzakonshme të Luka Modrić qëndron edhe Vanja Bosnić, bashkëshortja e tij, e cila përpara martesës ishte gjithashtu agjentja e futbollistit kroat. E diplomuar në Ekonomi në Universitetin e Zagrebit, Vanja e njohu Modrić në vitin 2007, kur ai ishte ende një talent i ri i futbollit. Marrëdhënia e tyre nisi profesionalisht, por shumë shpejt u shndërrua në një histori dashurie.
Çifti u martua në Zagreb në vitin 2010, fillimisht me një ceremoni civile dhe më pas, një vit më vonë, në kishë. Vanja luajti një rol të rëndësishëm edhe në karrierën e bashkëshortit, duke ndihmuar në transferimin e tij te Real Madrid në vitin 2012, përpara se të tërhiqej nga profesioni për t’iu përkushtuar familjes.
Ata kanë tre fëmijë: Ivano, Ema dhe Sofia. Ndryshe nga shumë partnere të futbollistëve të famshëm, Vanja preferon të qëndrojë larg rrjeteve sociale dhe vëmendjes mediatike, duke u shfaqur rrallë në publik.

Për Margarida Amaral Domingues, kjo periudhë shënon një kapitull të ri në jetën e saj. Në moshën 23-vjeçare, ajo u martua me sulmuesin portugez Gonçalo Ramos më 25 korrik, në Faro të Portugalisë, në një ceremoni ku morën pjesë familjarë, miq dhe disa emra të njohur të futbollit e spektaklit.
Historia e propozimit për martesë është veçanërisht e veçantë. Ramos zgjodhi të mos organizonte një darkë luksoze, por e fshehu unazën në një kuti me biskota, brenda shtëpisë së tyre.
Çifti ka edhe një djalë, Bernardo. Përpara martesës, ata kaluan disa ditë në New York, duke shijuar një udhëtim romantik mes Times Square dhe urës së Brooklyn-it. Tashmë, me jetën e re në Milano, Margarida pritet të jetë një prej figurave të reja që do të tërheqin vëmendjen në tribunat kuqezi.

Maša Radulović është partnerja prej vitesh e mbrojtësit serb Strahinja Pavlović. Me një të kaluar në fushën e psikologjisë, ajo preferon ta mbajë jetën private larg syve të publikut, megjithëse fotot e rralla me futbollistin kanë tërhequr interesin e tifozëve.
Një prej momenteve më të bukura të çiftit erdhi pas golit vendimtar të Pavlović kundër Romës, në nëntor të vitit 2025. Mbrojtësi festoi duke vendosur topin nën fanellë dhe gishtin e madh në gojë, duke zbuluar se do të bëhej baba.
Më 14 prill 2026, familja u zgjerua me ardhjen në jetë të vajzës së tyre, Tadija. Pavlović e shoqëroi lajmin me humor, duke komentuar përmasat e këmbëve të vogëlushes dhe duke lënë të kuptohej se ajo mund të kishte më shumë të ardhme në basketboll sesa në futboll.

Bashkëshortja e Matteo Gabbia-s është diplomuar në Drejtësi dhe ka një pasion të veçantë për sportin, sidomos për notin, të cilin e ka praktikuar edhe në nivel garues.
Emri i Federica Ruggieri-t u përhap gjerësisht në rrjetet sociale kur ajo doli hapur në mbrojtje të bashkëshortit, pas kritikave që mbrojtësi i Milanit mori për disa paraqitje në fushë.
Në një botë ku futbollistët dhe familjarët e tyre përballen vazhdimisht me presionin e opinionit publik, Federica ka treguar se është e gatshme të qëndrojë pranë partnerit edhe në periudhat më të vështira.

Mes emrave të rinj që mund të tërheqin vëmendjen në tribunat e Milanit është edhe Shahinez Shay, partnerja e Diego Moreira-s, futbollistit belg që iu bashkua kuqezinjve këtë verë nga Strasburgu.
E lindur në vitin 1999 në Zvicër, Shahinez është modele dhe influencuese, me më shumë se 127 mijë ndjekës në Instagram. Në profilin e saj ajo ndan momente nga përditshmëria, kombinime mode, bashkëpunime me marka të ndryshme dhe udhëtime në qytete si Los Angeles, Parisi dhe Londra.
Interesi për të është rritur veçanërisht për shkak të lidhjes me futbollistin e ri të Milanit, ndërsa jeta e saj mes modës dhe udhëtimeve e ka bërë një figurë të ndjekur në rrjetet sociale.

Agustina Gandolfo është një prej partnereve më të njohura të futbollistëve të Interit. E lindur në Mendoza të Argjentinës në vitin 1996, ajo vendosi të zhvendosej në Milano për të qenë pranë Lautaro Martínez, duke lënë pas vendlindjen dhe një pjesë të jetës së saj profesionale.
Historia e tyre nisi në vitin 2018 dhe u kurorëzua me martesë në vitin 2023, fillimisht në një ceremoni civile dhe më pas në kishë. Çifti ka dy fëmijë, Nina dhe Theo.
Përveç jetës familjare, Agustina është e apasionuar pas fitnesit dhe ushqyerjes së shëndetshme. Në Instagram, ku ndiqet nga më shumë se 1.5 milionë persona, ajo ndan rutinën e saj sportive, këshilla për mirëqenien dhe momente nga përditshmëria.
Ajo është angazhuar gjithashtu në botën e biznesit, duke hapur një restorant në Milano, qytetin ku familja e saj ka ndërtuar jetën.

Giulia Mazzocato është bashkëshortja e Federico Dimarco-s dhe një prej figurave që preferojnë të qëndrojnë larg vëmendjes së tepërt mediatike. Çifti është bashkë që prej vitit 2015. Propozimi për martesë erdhi në Dubai, ndërsa kurorëzimi i dashurisë së tyre u bë në vitin 2023, në një ceremoni të veçantë në Pulia të Italisë. Familja e tyre është zgjeruar me dy fëmijë: vajzën Chloe, e lindur në vitin 2018, dhe djalin Nicholas, që erdhi në jetë në vitin 2021.
Edhe pse nuk kërkon të jetë në qendër të vëmendjes, Giulia është një mbështetje e vazhdueshme për mbrojtësin zikaltër, duke qenë e pranishme në momentet e rëndësishme të karrierës së tij.

Federica Schievenin është bashkëshortja e Nicolò Barella-s dhe një prej partnereve më të rezervuara të futbollistëve të Interit. E lindur në Cagliari në vitin 1990, ajo u martua me mesfushorin zikaltër në korrik të vitit 2018, pas dy vitesh lidhjeje.
Për ceremoninë, çifti zgjodhi Sardenjën, një vend me rëndësi të veçantë për të dy.
Federica është modele dhe e diplomuar në Shkenca Sportive, ndërsa një prej pasioneve të saj janë motorët e motocross-it. Në rrjetet sociale, ajo ndan kryesisht momente nga jeta familjare, ku vëmendjen më të madhe e marrin katër fëmijët e çiftit: Becky, Vinia, Tilde dhe Romi.
Pavarësisht profilit të saj të rezervuar, Federica është një prej mbështetëseve më të afërta të mesfushorit italian.

Camilla Bresciani është bashkëshortja e Alessandro Bastoni-t dhe jeton me mbrojtësin e Interit në Milano. Ajo kombinon interesin për modën, përmes markës së saj, me pasionin për fotografinë. Në janar të vitit 2022, çifti u bë prindër i vajzës Azzurra Agnese. Camilla e përshëndeti ardhjen e saj me një mesazh emocionues, duke falënderuar të voglën që kishte zgjedhur të bëhej pjesë e jetës së tyre.
Në qershor të vitit 2023, ata kurorëzuan lidhjen me martesë në Borgo Egnazia, në Pulia, në një festë që zgjati disa ditë dhe përfshiu edhe një ceremoni me veshje të bardha për të ftuarit. Camilla ka qenë pranë Bastoni-t edhe në periudhat kur ai është përballur me kritika. Pas një sezoni të vështirë, ajo i kushtoi një mesazh publik, ku shprehu krenarinë për të dhe për forcën që i kishte mbajtur të bashkuar. Përgjigjja e futbollistit ishte e shkurtër, por domethënëse: “Përgjithmonë”.

Historia e dashurisë mes Hakan Çalhanoğlu-t dhe bashkëshortes së tij, Sinem Gündoğdu, ka kaluar edhe periudha të vështira. E lindur në vitin 1995 në Gjermani, me origjinë turke, Sinem është pjesë e jetës së mesfushorit që prej moshës së re.
Në verën e vitit 2018, kur Çalhanoğlu luante ende për Milanin, martesa e tyre kaloi një krizë të fortë dhe çifti iu afrua divorcit. Në rrjetet sociale u shkëmbyen akuza të ndërsjella, ndërsa futbollisti foli për diçka të pafalshme dhe Sinem mohoi se e kishte tradhtuar, qoftë gjatë lidhjes, qoftë gjatë martesës. Megjithatë, kriza u kapërcye dhe familja vazhdoi përpara. Çifti ka dy fëmijë, Liya dhe Ayaz, i cili lindi në prill të vitit 2021.
Sot, Sinem ndan kryesisht fotografi familjare në rrjetet sociale dhe nuk ngurron të dalë në mbrojtje të bashkëshortit. Në verën e vitit 2025, pas eliminimit të Interit nga Botërori i Klubeve, ajo reagoi ndaj deklaratave të Lautaro Martínez-it, i cili kishte thënë se lojtarët që nuk ishin më të bindur për të ardhmen te Interi duhej të largoheshin. Përgjigjja e Sinem-it ishte thumbuese, duke kujtuar se disa njerëz qëndrojnë besnikë vetëm për aq kohë sa kanë nevojë për ty.

Top Channel