Vendosni fjalën kyçe....

Kurti komenton protestat në Shqipëri: Me habi kam parë përpjekjet për t’ia faturuar Vetëvendosjes



Kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka komentuar protestat e zhvilluara në Shqipëri, duke kundërshtuar përpjekjet për të lidhur partinë që drejton me organizimin e tubimeve dhe përplasjet e dhunshme.

Gjatë mbledhjes së 64-t të Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, Kurti deklaroi se partia e tij tashmë është forcë qeverisëse dhe jo protestuese, ndërsa theksoi se nuk pranon të përdoret nga aktorë të tjerë politikë.

“Kam parë me habi se si zëra të ndryshëm janë përpjekur t’ia faturojnë edhe Vetëvendosjes këto protesta, por ne sot jemi forcë qeverisëse dhe jo forcë protestuese. Edhe kur kemi qenë forcë protestuese, protestave u kemi dalë në ballë vetë dhe kurrë nuk kemi ndenjur anonimë”, u shpreh Kurti.

Ai tha se zhvillimet në Shqipëri ndiqen me shqetësim, kujdes dhe përgjegjësi, duke e cilësuar përparimin demokratik të vendit si një përgjegjësi historike kombëtare.

Sa u përket përplasjeve gjatë protestave, Kurti dënoi dhunën dhe lëndimet e qytetarëve, por theksoi se krahas përgjegjësive penale duhet të analizohen edhe shkaqet që çojnë në përshkallëzimin e situatave.

“Rendi publik dhe liria e protestës duhet të mbrohen njëkohësisht”, deklaroi ai.

Kreu i qeverisë së Kosovës u ndal edhe te marrëdhëniet mes dy vendeve, duke theksuar se Kosova dhe Shqipëria nuk janë dhe nuk do të jenë rivale. Ai shprehu mbështetjen për avancimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian dhe për thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, përfshirë ekonominë, infrastrukturën, arsimin dhe sigurinë.

“Shqipërinë e duam gjithmonë dhe pavarësisht rrethanave. Ajo është pjesë e pandashme e qenies sonë kombëtare. Prandaj, zhvillimet atje i përcjellim me shqetësim, kujdes, përgjegjësi dhe dashuri. Përparimi demokratik i Shqipërisë është edhe përgjegjësi historike kombëtare”, u shpreh Kurti.

Ai shtoi se Vetëvendosje nuk ka pranuar të instrumentalizohet dhe as nuk ka përdorur të tjerët për qëllimet e saj politike.

“Ne jemi në krye të Qeverisë së Republikës së Kosovës, e Kosova nuk është dhe nuk do të jetë kurrë rivale e motrës së saj. Ne gëzohemi për avancimet e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian, apo për arritjet e ekonomisë dhe turizmit të Shqipërisë. Ne me gjithë zemër duam dhe dëshirojmë që këto arritje të Qeverisë së Shqipërisë e të popullit shqiptar të konsolidohen dhe të zgjerohen edhe me projekte të përbashkëta mes Kosovës dhe Shqipërisë, infrastrukturore, ekonomike, arsimore, ushtarake e jo vetëm”, deklaroi kryeministri i Kosovës.