Dhënia e apartamenteve, vilave apo dhomave me qira për periudha të shkurtra pritet t’u nënshtrohet rregullave të reja. Projektligji për turizmin parashikon që çdo njësi e ofruar përmes platformave si Airbnb, Booking apo në mënyrë të drejtpërdrejtë të regjistrohet në e-Albania.
Përpara nisjes së aktivitetit, pronari do të duhet të pajiset me një kod unik regjistrimi, i cili duhet të shfaqet edhe në reklamat apo ofertat e publikuara online. Synimi është identifikimi i njësive që operojnë në tregun e akomodimit afatshkurtër.
Ndryshime parashikohen edhe për agjencitë turistike. Në rast falimentimi, pagesat për shërbimet e parealizuara të turistëve parashikohet të mbulohen nga një fond i posaçëm. Operatorët do të kenë gjithashtu detyrimin për sigurimin e përgjegjësisë ndaj palëve të treta.
Projektligji vendos rregulla të reja edhe për stacionet e plazhit, të cilat duhet të garantojnë akses të lirë dhe të pandërprerë të qytetarëve drejt detit, pa gardhe apo barriera.
Për shkeljet parashikohen gjoba deri në 400 mijë lekë. Mungesa e vrojtuesit të plazhit mund të ndëshkohet me 200 mijë lekë, ndërsa në rast përsëritjeje gjoba arrin në 400 mijë lekë.
Projektligji ndodhet ende në fazën e konsultimit publik dhe nuk është ende një ligj përfundimtar në fuqi.
