Protesta e opozitës dhe studentëve është shoqëruar me tensione dhe përplasje në disa momente, fillimisht në hyrje të Rrugës së Durrësit dhe më pas para Ministrisë së Arsimit.
Sapo protestuesit e udhëhequr nga deputetët e opozitës mbërritën në hyrje të Rrugës së Durrësit, u pritën me thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg”. Në këtë moment pati edhe një përplasje verbale me një protestues, i cili kërkoi largimin e deputetëve të opozitës.
Nga ana tjetër, grupi i protestuesve demokratë iu përgjigj me thirrjet “Poshtë komunizmi”. Pas tensioneve të para mes dy grupimeve, studentët dhe mbështetësit e PD-së vijuan të qëndronin në zonën e Rrugës së Durrësit.
Situata u përshkallëzua më pas përpara Ministrisë së Arsimit, ku për rreth një orë Policia e Shtetit u bëri thirrje protestuesve të ndalonin hedhjen e gurëve dhe sendeve të forta në drejtim të efektivëve.
Përmes thirrjeve me altoparlantë, policia deklaroi se personat që po hidhnin sende të forta ishin të maskuar dhe të identifikuar, duke i paralajmëruar se do të përballeshin me ligjin. Ndërkohë, protestuesve të tjerë iu kërkua të distancoheshin prej tyre.
Pavarësisht paralajmërimeve, një pjesë e protestuesve vijuan të shkëpusnin pllaka guri nga trotuaret dhe t’i hidhnin drejt forcave të policisë. Në komunikimin e radhës, policia e cilësoi atë si paralajmërimin e fundit dhe përsëriti thirrjen për të mos goditur efektivët.
Para ministrisë u krijua edhe një re e madhe tymi. Fillimisht u raportua se tymi vinte nga flakadanët, por më pas u sqarua se shkak ishte zjarri i fikur në kazanët e mbeturinave, tymi i të cilit kishte mbuluar zonën. Protestuesit vijuan ndërkohë me thirrjet “Ju erdhi fundi”.
Policia u kujtoi protestuesve edhe hyrjen në fuqi të aktit normativ të qeverisë për tubimet, duke theksuar ndalimin e mbajtjes së maskave dhe të goditjeve ndaj forcave të rendit.
Deri në atë moment, efektivët nuk kishin ndërhyrë fizikisht, ndërsa në një fazë ishte përdorur autoboti për hedhjen e ujit, si masë parandaluese ndaj përshkallëzimit të situatës.
Rreth orës 15:20, protestuesit nisën të hidhnin në breshëri molotovë në drejtim të forcave të policisë, të cilat iu përgjigjën me autobotin dhe ujë.
Pas disa orësh tensione dhe përplasjesh me policinë, protestuesit u larguan nga ambientet pranë Ministrisë së Arsimit dhe nisën marshimin në drejtim të Kryeministrisë.a.b




