Rikthimi i Lavrovit në G20 vë në pah përçarjet e Perëndimit për Ukrainën dhe Lindjen e Mesme
Rikthimi i ministrit të Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov, në një takim të rëndësishëm diplomatik në Shtetet e Bashkuara ka nxjerrë në pah përçarjet në rritje mes Uashingtonit dhe aleatëve të tij evropianë lidhur me mënyrën se si duhet trajtuar Moska derisa Rusia po e vazhdon luftën kundër Ukrainës.
Takimi i ministrave të Jashtëm të vendeve të Grupit të 20 ekonomive më të mëdha (G20), i cili nisi më 30 tetor në Atlanta, u shënua nga një incident i pazakontë diplomatik: sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e anuloi fotografinë e përbashkët tradicionale, pasi zyrtarët evropianë, Britania dhe Australia nuk pranuan të pozonin përkrah Lavrovit.
Një zyrtar amerikan tha se Uashingtoni vendosi ta anulonte ceremoninë, në mënyrë që të mos shndërrohej në shpërqendrim diplomatik.
Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, po përpiqet ta rikthejë angazhimin diplomatik me Kremlinin, ndërsa qeveritë evropiane këmbëngulin se Rusia nuk mund të trajtohet si partnere e zakonshme ndërkombëtare, përderisa e vazhdon pushtimin e Ukrainës në shkallë të gjerë.
Pavarësisht kundërshtimeve, Lavrovi mbeti pjesë e takimit. Më vonë, më 30 tetor, një reporter i Radios Evropa e Lirë e pa ministrin e Jashtëm rus në pritjen e organizuar për ministrat nga Rubio, në Akuariumin e Xhorxhias në Atlanta.
Raketat po vijnë, por jo së shpejti
Ndërkohë, lufta që ka nxitur pjesën më të madhe të tensioneve diplomatike mbeti një nga shqetësimet kryesore të mbështetësve të Ukrainës. Departamenti amerikan i Shtetit miratoi shitjen e mundshme të 500 raketave për sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot, me vlerë 2.1 miliardë dollarë, për Ukrainën. Blerja do të financohet nga kontributet e anëtarëve të G20-ës, Gjermanisë dhe Kanadasë, si dhe nga Norvegjia dhe fonde të mbështetura nga një kredi e Bashkimit Evropian. Megjithatë, raketat do të prodhohen tani dhe dërgesat pritet të fillojnë vetëm pas vitit 2030.
Vendimi vjen në një kohë kur Ukraina po përballet me mungesë të theksuar të raketave, të nevojshme për mbrojtjen e qyteteve dhe infrastrukturës së saj kritike energjetike, pasi Rusia po i vazhdon sulmet ndaj vendit në prag të dimrit.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i ka kërkuar vazhdimisht Uashingtonit që të përshpejtojë dërgesat. Në fillim të kësaj jave, ai tha se Kievi kishte pritur gati një muaj për miratimin e furnizimeve të rëndësishme me raketa për sistemet Patriot dhe NASAMS. Në një postim në rrjetet sociale, Zelensky tha se “500 raketa PAC-3 janë sasi e madhe”, por shprehu pakënaqësinë për vonesën e mundshme të dërgesave.
Alex Plitsas, bashkëpunëtor i lartë në Këshillin Atlantik dhe ish-zyrtar i Pentagonit, tha se njoftimi për raketat Patriot ishte i rëndësishëm, por nuk do t’i adresonte nevojat e menjëhershme të Ukrainës. Ai paralajmëroi se sulmet e vazhdueshme ruse ndaj infrastrukturës energjetike synojnë të terrorizojnë civilët dhe ta detyrojnë Ukrainën të dorëzohet, duke e lënë popullsinë e saj të përballet me të ftohtin gjatë dimrit.
Dan Rice, president i Universitetit Amerikan të Kievit dhe ish-këshilltar i posaçëm i komandantit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës, e mirëpriti vendimin.
“Unë mendoj se ky është lajm fantastik. Kjo i siguron Ukrainës armë jetike që prodhohen vetëm në SHBA”, tha Rice për Radion Evropa e Lirë, duke iu referuar aftësisë së sistemit Patriot për t’i kapur raketat balistike ruse.
Rice vlerësoi Kanadanë, Gjermaninë dhe Norvegjinë për financimin e blerjes, duke thënë se kontributet e tyre do ta ndihmojnë Ukrainën të mbrojë popullsinë civile.
Përçarje në samitin e G20-ës
Rubio e hapi takimin dyditor të G20-ës me një thirrje për bashkëpunim, duke paralajmëruar se krizat e ndërlidhura gjeopolitike dhe ekonomike kërcënojnë furnizimet globale me energji dhe ushqime, tregtinë, zinxhirët e furnizimit dhe lirinë e lundrimit.
“Po përballemi me një sërë krizash të ndërlidhura ekonomike dhe gjeopolitike”, u tha ai homologëve të tij.
Por diskutimi për Ukrainën nxori shpejt në pah kufijtë e kësaj thirrjeje për bashkëpunim. Sekretari i Jashtëm britanik, Ed Miliband, u përball drejtpërdrejt me Lavrovin për sulmet ruse ndaj civilëve ukrainas, duke thënë se dronët rusë kishin vrarë 15 persona një ditë më parë.
“Nëse jemi seriozë për vlerat dhe interesat tona, duhet të bëjmë edhe më shumë për të siguruar një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë”, tha ai.
Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Kaja Kallas, tha se ministrat e kishin ballafaquar drejtpërdrejt Lavrovin me atë që ajo i cilësoi si gënjeshtra ruse dhe narrativa të rreme për luftën
Lavrovi nuk dha asnjë shenjë se Moska ishte e gatshme të zbuste qëndrimin e saj. Ai përsëriti se Rusia nuk do të pranonte një marrëveshje që do t’i mundësonte Ukrainës të paraqiste atë që Moska e konsideron kërcënim ushtarak për interesat e saj të sigurisë.
Kremlini gjithashtu ka refuzuar vazhdimisht propozimet për bisedime të drejtpërdrejta që do të zhvilloheshin jashtë Rusisë. Lavrovi nuk pranoi të thoshte nëse presidenti rus, Vladimir Putin, do të merrte pjesë në samitin e liderëve të G20-ës në Majami në dhjetor, ku është diskutuar mundësia e një takimi me Trumpin.
Tensionet në Atlanta pasqyrojnë përçarjen më të gjerë të rendit ndërkombëtar, e cila po e bën gjithnjë e më të vështirë arritjen e konsensusit mes ekonomive më të mëdha të botës. Luftërat në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme vetëm sa i kanë thelluar këto ndasi.
Zyrtarë perëndimorë i thanë Radios Evropa e Lirë se pjesëmarrësit e G20-ës ishin përgjithësisht të pajtimit se konflikti në Lindjen e Mesme po krijonte presion të madh ekonomik, veçanërisht për shkak të ndërprerjeve në tregjet e energjisë dhe në tregti. Gjithashtu, kishte shqetësime se sulmet e reja ushtarake amerikane ndaj Iranit mund t’i rrisnin ndjeshëm çmimet e naftës.
Ministrat pritej të diskutonin lirinë e lundrimit në Detin e Zi dhe në Ngushticën e Hormuzit, si dhe sigurinë ushqimore dhe dobësitë në zinxhirët e furnizimit. Takimi përfundon më 31 tetor.
Në agjendë ishte edhe qasja në mineralet kritike, të nevojshme për teknologjitë e përparuara. Kjo është një çështje që Rubio është përpjekur ta trajtojë përmes nismës Pax Silica, të mbështetur nga SHBA-ja, e cila synon të zvogëlojë varësinë nga dominimi i Kinës në këtë sektor.
Megjithatë, diplomatët ishin skeptikë se takimi do të prodhonte një deklaratë të përbashkët. Deklarata të tilla kërkojnë konsensus, i cili është bërë gjithnjë e më i vështirë për t’u arritur qëkurse Rusia nisi pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022.
Një tjetër mosmarrëveshje në Atlanta kishte të bënte me përpjekjet e Varshavës për t’u bërë anëtare e plotë e G20-ës.
Polonia mori pjesë në takim si e ftuar, me ftesë të Uashingtonit, ndërsa administrata Trump mbështet përpjekjet e saj për anëtarësim të përhershëm.
Ministri i Jashtëm polak, Radoslaw Sikorski, tha se vendi i tij e meriton një vend në këtë grup, duke përmendur rritjen ekonomike dhe ndikimin e tij gjithnjë e më të madh ndërkombëtar.
Rubio e mbështeti këtë propozim gjatë një pritjeje për ministrat e Jashtëm në Akuariumin e Xhorxhias në Atlanta, duke thënë se Trump beson se suksesi ekonomik dhe ndikimi global i Polonisë do ta forconin G20-ën.
Lavrovi e kundërshtoi këtë ide, duke argumentuar se ftesa për Poloninë shkel parimet e diplomacisë shumëpalëshe dhe të konsensusit. Ai gjithashtu tha se Polonia nuk i shton asgjë këtij grupi.
Në një konferencë për media pas seancave plenare, Sikorski kundërshtoi pretendimet se Ukraina po humbiste pozitat e saj në fushëbetejë. Ai u tha gazetarëve se ofensiva ruse, për të cilën ishte bërë shumë bujë, kishte ardhur me një kosto jashtëzakonisht të lartë njerëzore dhe se Ukraina, në fakt, kishte rifituar territore.
I pyetur nga Radio Evropa e Lirë nëse kishte frikë se aleatët perëndimorë mund ta shtynin Kievin drejt lëshimeve që do të dëmtonin interesat e tij, Sikorski tha se Evropa duhet të vazhdojë të mbajë qëndrimin e saj./ REL




