Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mohuar pretendimet se Lëvizja Vetëvendosje ka pasur rol në organizimin apo nxitjen e protestave në Shqipëri.
Në mbledhjen e 64-të të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti ka thënë se subjekti që drejton është forcë qeverisëse dhe jo protestuese, duke theksuar se Kosova nuk është dhe nuk do të jetë rivale e Shqipërisë.
“Unë kam parë me habi zëra të ndryshëm që janë përpjekur t’ia faturojnë edhe Vetëvendosjes këto protesta që zhvillohen në Republikën e Shqipërisë. Por, të dashur delegatë, ne jemi forcë qeverisëse dhe nuk jemi forcë protestuese. Edhe kur kemi qenë forcë protestuese, protestave u kemi dalë në ballë vetë dhe kurrë nuk kemi ndenjur anonim. Nuk e kemi vlerësuar kurrë si të denjë taktikën e hedhjes gurit e fshehjes së dorës”, ka deklaruar Kurti.












