Një histori sakrifice që kalon nga brezi në brez, Gundogan kujton gjyshin që emigroi në Gjermani për familjen
Ish-kapiteni i Kombëtares së Gjermanisë, Ilkay Gündogan, ka ndarë një mesazh emocional për rrënjët e tij turke dhe historinë e familjes, duke theksuar se të jetosh mes dy kulturave është një pasuri.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, disa ditë më parë, futbollisti rikujtoi historinë e gjyshit të tij, İsmail, i cili në vitin 1973 u largua nga Turqia për të shkuar në rajonin e Ruhrit në Gjermani, ku punoi si minator. Ai la pas vendlindjen me një synim të qartë: t’i siguronte familjes një të ardhme më të mirë.
“Historia e tij përfaqëson për mua guximin, punën e palodhur dhe shpresën”, shprehet Gündogan, duke nderuar sakrificat e brezit të parë të emigrantëve turq në Gjermani.
Mesazhi i tij vjen në 65-vjetorin e marrëveshjes gjermano-turke për punësimin e punëtorëve, të nënshkruar më 30 tetor 1961. Kjo marrëveshje ndryshoi jetën e qindra mijëra njerëzve dhe ndikoi në formimin e shoqërisë gjermane të ditëve të sotme.
Gündogan thekson se njeriu nuk duhet të zgjedhë mes origjinës dhe vendit ku është rritur apo jeton. Sipas tij, është e mundur të jesh krenar për rrënjët, të ndihesh në shtëpi në Gjermani, të marrësh përgjegjësi dhe të kontribuosh për shoqërinë.
Historia e familjes së tij është një shembull i rrugëtimit të shumë emigrantëve, të cilët u larguan me shpresën për një jetë më të mirë dhe ndërtuan të ardhmen e tyre në një vend të ri.
Për Gündoganin, trashëgimia kulturore nuk është një pengesë, por një forcë që e ka formësuar si njeri dhe si futbollist.




