Inspektorati Qendror i Punës nis verifikimet ndaj Klan Kosovës

Inspektorati Qendror i Punës ka njoftuar se ka hapur procedurën e inspektimit në Klan Kosova, pas raportimeve publike për pretendimet e shtatë ish-punonjësve, të cilët u larguan nga puna duke denoncuar shkelje të të drejtave të tyre në marrëdhënien e punës.

Sipas njoftimit të publikuar nga IQP-ja në Facebook, inspektimi është ndërmarrë mbi bazën e ankesave të dorëzuara me shkrim dhe raportimeve publike për shkeljet e pretenduara nga punëdhënësi. Institucioni ka bërë të ditur se do të zbatojë legjislacionin në fuqi dhe, në varësi të përfundimeve të procesit, do të marrë masat ligjore përkatëse.

Të lidhura

None found

Largimi i njëkohshëm i gazetarëve nga vendet e tyre të punës ka shkaktuar reagime të shumta në komunitetin mediatik të Kosovës. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka shprehur shqetësim të thellë për rrethanat që çuan në dorëheqjen e shtatë gazetarëve dhe anëtarëve të stafit të portalit të Klan Kosovës. Sipas tyre, shqetësimet lidhen me mospagesën e orëve shtesë, mosrespektimin e pushimeve dhe të orarit të përcaktuar me ligj, si dhe me presionin psikologjik e kushtet e vështira në vendin e punës.

Menaxhmenti i Klan Kosovës, ndërkaq, ka deklaruar se mosmarrëveshja me stafin ka të bëjë me organizimin e mbulimit të formatit televiziv “Big Brother”. Sipas menaxhmentit, për angazhimet që kryhen jashtë orarit të rregullt të punës ishte parashikuar pagesë shtesë.


Shtuar më 31.10.2026 17:18

Quantcast