Në episodin e radhës të podcastit “Arena e Yjeve”, i ftuar është ish-futbollisti i njohur kosovar Ahmet Haliti. Ai rikthen në kujtesë momentet kryesore të karrierës si lojtar dhe flet për angazhimin e tij të ri në futboll, tashmë si ndihmës trajner te Ballkani. Ky episod realizohet me mbështetjen e sponsorit zyrtar Exfis.
Haliti tregon se ku nisi lidhja e tij me futbollin, në cilin ambient u formua si lojtar dhe cilët njerëz ndikuan në hapat e parë të karrierës. Mes periudhave më të rëndësishme ai veçon kohën te Hysi, klub me të cilin arriti suksese dhe fitoi trofe, duke nënvizuar rolin e tij në zhvillimin e mëtejshëm si futbollist.
Të lidhura
None found
Gjatë intervistës, ai ndalet edhe te eksperiencat me Prishtinën dhe Feronikelin. Ish-mbrojtësi kujton ndjenjën e të luajturit me fanellën e Prishtinës, përgjegjësinë që mbart përfaqësimi i një klubi me histori të madhe dhe përvojat në garat evropiane. Në rrëfimin e tij përfshihen gjithashtu periudhat te Feronikeli, Llapi dhe Trepça ’89, si dhe veçoritë e secilit prej këtyre klubeve.
Një kapitull i veçantë i karrierës së tij lidhet me Shqipërinë, ku luajti për Besën dhe Bylisin. Haliti shpjegon mënyrën se si u realizua kalimi në futbollin shqiptar dhe dallimet që konstatoi mes futbollit në Kosovë dhe atij në Shqipëri.
Ai rikthen edhe sukseset e fituara me Hysin, Prishtinën dhe Llapin, ndërsa flet për karakteristikat që e dallonin në fushë. Në bisedë trajtohen edhe përgjegjësitë e një mbrojtësi dhe sulmuesi më i vështirë me të cilin është përballur gjatë karrierës.
Haliti rrëfen se vendimin për ta mbyllur karrierën si futbollist e mori në moshën 36-vjeçare. Ai tregon se si u mor ky hap, sa e vështirë ishte ndarja nga fusha dhe kur nisi të merrte formë ideja për ta vazhduar rrugëtimin në futboll si trajner.
Pas përfundimit të karrierës si lojtar, ai filloi punën si ndihmës trajner te Vëllaznimi dhe më pas vazhdoi te Dukagjini. Ish-futbollisti flet për sfidat e përshtatjes me rolin e ri dhe për mësimet e nxjerra nga këto përvoja, përpara se t’i bashkohej Ballkanit, klub ku sot është pjesë e shtabit teknik dhe që ka vendosur standarde të larta në futbollin kosovar.
Në përmbyllje të bisedës, Ahmet Haliti shpjegon se si përvoja e tij si futbollist ndikon në punën me lojtarët, sa e lehtë është të kuptojë vështirësitë e tyre dhe si bashkëpunon me shtabin teknik të Ballkanit. Ai flet edhe për synimet në profesionin e trajnerit dhe mundësinë që në të ardhmen të drejtojë një skuadër si trajner i parë.
Episodin e plotë me Ahmet Halitin mund ta ndiqni në kanalin zyrtar të Telegrafit në YouTube.






