Në Prishtinë është mbajtur sot protesta e radhës pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, me kërkesa për drejtësi, përgjegjësi institucionale dhe mbrojtje më të madhe për gratë që përballen me dhunën.
Protestuesit janë mbledhur pasditen në sheshin “Zahir Pajaziti”, prej nga kanë marshuar drejt ndërtesës së Qeverisë. Në emër të pjesëmarrësve, një aktiviste ka kërkuar shkarkimin e ministrave të Drejtësisë dhe të Punëve të Brendshme, si dhe trajtimin e femicidit si urgjencë kombëtare, transmeton KosovaPress.
“Kërkojmë drejtësi për Arlindën dhe për gratë e vrara. Kërkojmë që femicidi të trajtohet si urgjencë kombëtare”, ka deklaruar ajo.
Kërkesat përfshijnë edhe banim social për të mbijetuarat e dhunës në familje, veting të pavarur në sistemin e drejtësisë dhe legalizimin e sprejit për vetëmbrojtje për gratë.
Me thirrjet “Drejtësi për Arlindën!” dhe “Drejtësi për gratë e vrara!”, pjesëmarrësit, pas ndalesës para Qeverisë, kanë vazhduar marshimin drejt Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Protesta vjen një ditë pasi ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, prezantoi raportin mbi trajtimin institucional të rastit. Dokumenti, i hartuar nga Zyra e Koordinatorit Kombëtar për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Bazë Gjinore, evidenton mangësi serioze në veprimet e institucioneve përgjegjëse.
Sipas Gërvallës, vrasja mund të ishte parandaluar nëse institucionet do të kishin reaguar me kohë ndaj raportimeve dhe kërcënimeve të denoncuara nga Zekaj.
Raporti tregon se ajo e kishte raportuar për herë të parë dhunën në polici më 10 korrik 2026. Në trajtimin e kërkesave të saj për mbrojtje nga Gjykata Themelore në Pejë janë konstatuar vonesa përtej afateve ligjore.
Gërvalla ka deklaruar se dokumentacioni i shqyrtuar nuk dëshmon që gjyqtari përgjegjës të ketë ndërmarrë veprime për të adresuar moszbatimin e urdhrit mbrojtës. Sipas saj, deri në prezantimin e raportit nuk kishte informacion se si do të trajtoheshin shkeljet e evidentuara lidhur me veprimet e gjyqtarit dhe të kryetarit të Gjykatës Themelore në Pejë.
Ministrja ka paralajmëruar gjithashtu hartimin e strategjisë së re kombëtare kundër dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave.
Vrasja e Arlinda Zekajt të dielën e kaluar ka nxitur reagime të shumta publike dhe institucionale. Lidhur me rastin janë suspenduar 11 zyrtarë policorë, kryeprokurorja dhe një prokurore në Pejë, ndërsa drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka dhënë dorëheqje.
Protesta janë zhvilluar edhe në Ferizaj, Pejë e Mitrovicë, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar vazhdimin e tyre në ditët në vijim.