Avokati i Erion Veliajt, Plarent Ndreca, deklaroi se është penguar të takojë klientin e tij në burgun e Fierit, pavarësisht të drejtës që i njeh ligji për të zhvilluar takime në çdo kohë.
Ndreca tha se kishte qëndruar për rreth 20-30 minuta duke diskutuar me oficerin e rojës, por nuk ishte lejuar të hynte.
“Avokati, ashtu si prokurori dhe gjyqtari, hyn në çdo kohë për të takuar klientin”, deklaroi ai për mediat.
Ndreca e cilësoi këtë situatë si “një shkelje absurde”, duke theksuar se nuk ka nevojë të marrë autorizim nga Drejtoria e Burgjeve për të ushtruar të drejtën e tij.
Sipas tij, takimi ishte lënë paraprakisht për komunikim dhe intervistim me Veliajn, por nuk u realizua për shkak të refuzimit nga ana e punonjësve të burgut.