Një aksident tragjik i ka marrë jetën 20-vjeçarit me origjinë shqiptare, Thomas Qirjaj, në orët e para të së premtes, më 30 tetor, në autostradën A1, pranë Melegnanos në Itali.
Sipas mediave italiane, Thomas udhëtonte me katër miq në një automjet Volvo me targa zvicerane. Pasi kaloi pikën e pagesës së autostradës, drejtuesi humbi kontrollin dhe makina u përplas me barrierën ndarëse të korsive.
Pas aksidentit, 20-vjeçari doli nga automjeti për të vendosur trekëndëshin e emergjencës dhe për të paralajmëruar drejtuesit e tjerë. Në ato çaste, ai u godit nga një SUV, që drejtohej nga një 25-vjeçar nga Modena.
Thomas u transportua me urgjencë në spitalin Predabissi, në Vizzolo, por nuk mundi t’u mbijetonte plagëve.
Në dhjetor do të mbushte 21 vjeç
Thomas kishte lindur në Piacenza dhe jetonte me prindërit në Caorso. Ishte fëmijë i vetëm i një familjeje me origjinë shqiptare dhe në dhjetor do të festonte ditëlindjen e 21-të.
Humbja e tij ka tronditur komunitetin ku jetonte. Kryetarja e Bashkisë së Caorsos, Roberta Battaglia, shprehu ngushëllimet për familjen, duke e kujtuar si një të ri që e kishte parë të rritej.
Thomas ishte i angazhuar edhe në futbollin amator. Klubi ku kishte luajtur anuloi ndeshjen e planifikuar, në shenjë zie.
Policia Rrugore dhe Prokuroria e Lodit po hetojnë për të zbardhur shkaqet e përplasjes fillestare dhe rrethanat në të cilat SUV-i goditi të riun.
