Zelimkhan Abakarov nuk ka mundur të mbyllë me medalje aventurën e tij në Kampionatin Botëror të Mundjes, që po zhvillohet në Kazakistan.
Mundësi kuqezi u ndal në finalen për vendin e tretë, në kategorinë deri në 61 kg, ku u përball me Kwang Myong Kim nga Koreja e Veriut.
Ishte një duel mjaft i ekuilibruar, në të cilin Abakarov kishte kaluar në avantazh 3-2 dhe ishte pranë fitimit të medaljes së bronztë. Megjithatë, në momentet vendimtare, kundërshtari arriti të barazonte shifrat në 3-3.
Pavarësisht rezultatit të barabartë, medalja e bronztë shkoi për Kwang Myong Kim, pasi rregullat i dhanë avantazhin për shkak të pikës së fundit të realizuar.
Një mundësi e humbur për Abakarovin, i cili ishte vetëm një hap larg podiumit botëror, por këtë herë u detyrua të kënaqej me vendin e katërt.