Një bashkëpunim me mesazh të qartë politik vjen nga New York-u, ku kandidati shqiptar për Kongresin amerikan, Diamant Hysenaj, ka zhvilluar një takim me kandidatin republikan për guvernator të shtetit të New York-ut, Bruce Blakeman.
Gjatë këtij takimi, të dy kandidatët kanë përcjellë një mesazh të përbashkët për nevojën e ndryshimit të politikave ekonomike dhe forcimin e sigurisë në komunitete, duke vënë në qendër shqetësimet e familjeve dhe bizneseve.
Bruce Blakeman u shpreh se qytetarët po përballen me taksa të larta, kosto gjithnjë e më të papërballueshme të shërbimeve dhe shqetësime për sigurinë publike. Ai premtoi se, në bashkëpunim me Diamant Hysenajn, do të angazhohen për uljen e taksave, përgjysmimin e faturave të shërbimeve dhe krijimin e komuniteteve më të sigurta.
Hysenaj e cilësoi mbështetjen e Blakeman si një sinjal të rëndësishëm për komunitetin shqiptaro-amerikan, duke theksuar se familjet shqiptare kanë nevojë për përfaqësues që i dëgjojnë dhe i kuptojnë problemet e tyre të përditshme. Ai nënvizoi veçanërisht barrën ekonomike që rëndon mbi qytetarët, si dhe rëndësinë e një udhëheqjeje që vendos interesat e familjeve në plan të parë.
Takimi u shoqërua edhe me një mesazh mbështetjeje nga Blakeman për kandidaturën e Hysenajt, të cilin e përshëndeti si një kongresmen të ri të ardhshëm. Për komunitetin shqiptaro-amerikan, kjo paraqitje e përbashkët merr një rëndësi të veçantë, pasi rikthen në vëmendje rolin dhe ambicien e përfaqësimit shqiptar në politikën amerikane.
