Shtohen mamografitë në Vlorë/ Tetori rozë, 350 gra kryejnë kontrolle, 20 prej tyre në ekzaminime të mëtejshme

31/10/2026 20:26

Tetori rozë po mbyllet dhe në kuadër të luftës kundër kancerit të gjirit është rritur numri i vizitave të kryera në spitalin e Vlorës, duke e çuar në 350 numrin e mamografive.

Ky fakt tregon rritjen e ndërgjegjësimit te vajzat dhe gratë. Po ashtu, nga 350 kontrollet, 20 prej tyre po kryejnë ekzaminime të mëtejshme.

30 vjeç është mosha më e ulët e evidentimit të kësaj sëmundjeje në Vlorë.

Mjekët vijojnë të përcjellin mesazhin për kryerjen e mamografisë të paktën një herë në dy vjet, në mënyrë që sëmundja të zbulohet në kohë dhe të mundësohet ndërhyrja e hershme.

Diagnostikimi sa më i shpejtë dhe kontrollet periodike mbeten ndër mënyrat më të rëndësishme për të luftuar kancerin e gjirit te vajzat dhe gratë.

Në spitalin rajonal të Vlorës, kryerja e mamografisë është një shërbim që prej vitesh ofrohet falas.

Top Channel